Këshilli i BE-së diskuton për liberalizimin e vizave për Kosovën në takim të mbyllur për publikun

Për herë të parë, grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian do të ketë në rend të ditës diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së, në letrat që u ka dërguar shteteve anëtare, kishte thënë se dëshiron që në këtë takim të shohë se a ekziston mbështetja e duhur e delegacioneve të shteteve anëtare për të lëvizur drejt vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Delegacionet që marrin pjesë në këtë diskutim, i cili është i natyrës punuese dhe është i mbyllur për publikun, e kanë tashmë para vetes një letër të Komisionit Evropian ku në detaje përmenden rezultatet e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Për herë të parë, Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018. Po ashtu, KE-ja të mërkurën, më 12 tetor, përmes raportit vjetor të progresit konfirmoi se mbetet në fuqi rekomandimi për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimi se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Presidenca Çeke, kur njoftoi se do të vendoste në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën, argumentoi se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për heqjen e vizave për Kosovën, janë bindëse. Çekia tha, po ashtu, se shpreson që të gjitha shtetet e bllokut evropian të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme të shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, u tha në letrën që Presidenca Çeke u dërgoi shteteve anëtare.

“Liberalizimi i vizave është element kyç në procesin e integrimit të Kosovës në BE, që tashmë është shumë i vonuar. Kosova është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor [dhe një prej pak shteteve në Evropë] që ende nuk ka siguruar regjim pa viza me BE-në. Ky fakt, ka një ndikim të konsiderueshëm negativ në atmosferën në vend dhe në qëndrimet e qytetarëve të Kosovës rreth korrektësisë dhe besueshmërisë së BE-së”, shkroi Presidenca Çeke.

Diskutimet në grupin punues të Këshillit janë vetëm fillimi i procedurës në këtë institucion të BE-së.

Aktualisht, në Bruksel nuk duan të përmendin afate kohore se kur mund të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave. Por, nëse do të ketë pajtim të shteteve anëtare, atëherë do të nisë diskutimi ndërmjet tri institucioneve të BE-së – i quajtur trialog – Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit.

Por, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian për vite me radhë e kanë mbështetur liberalizimin e vizave, andaj nuk pritet që të ketë ndonjë pengesë në këto dy institucione.

Presidenca Çeke e BE-së ka paralajmëruar se do të “synojë të arrihet pajtim nga të gjitha shtetet”, pavarësisht se për miratimin e vendimit të Këshillit mjafton vota e shumicës së kualifikuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist se takimi në Këshill mund të sjellë rezultate. Por, për dallim nga Kurti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë për REL-in se është “optimiste e kujdesshme”, por ka shtuar se sheh vullnet politik te liderët e BE-së që kjo çështje të mos bllokohet.