Prishtina solidarizohet me gratë në Iran, protestojnë sot në sheshin “Skënderbeu”

Sot do të organizohet një protestë në solidaritet me gratë në Iran. Protesta është organizuar nga organizata joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS”, dhe do të nis në ora 12:00 te sheshi “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Irani është përfshirë kohët e fundit nga protestat pas vdekjes së një 22-vjeçareje, e cila ishte arrestuar nga e ashtuquajtura polici e moralit, pasi nuk kishte veshur në mënyrën e duhur shaminë e saj në përputhje me rregullat islamike.

Shumica e protestuesve ishin gra dhe ato hoqën shamitë e tyre të detyrueshme, apo hixhabet gjatë marshimit pas vdekjes së Mahsa Aminit, e cila u ndalua nga policia e mbikëqyrjes së sjelljes nën pretendimet për mosvënien si duhet të shamisë së saj.

Videot në internet tregojnë gra që valëvisin shamitë e tyre, duke brohoritur. Të tjera i kanë djegur ato ose kanë prerë flokët e tyre në shenjë zemërimi ndaj rastit që ndodhi.

Vdekja e Aminit ka zemëruar shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, të cilët e shohin këtë ngjarje si aktin më të fundit të një politike të ashpër të Republikës Islamike ndaj disidentëve dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm të grave të reja nga policia mbikëqyrëse e sjelljes.

Në disa nga demonstratat, protestuesit janë përleshur me policinë.

Ndërkohë, vullnetarët motoçiklistë të njohur si “Basij”, paramilitarë që bëjnë pjesë në Gardën Revolucionare të Iranit, kanë ndjekur dhe rrahur demonstruesit – siç ka ndodhur edhe në protestat e tjera viteve të fundit për ujë, ekonominë e rënduar të vendit dhe arsye të tjera, protesta të cilat janë shtypur me dhunë.

Megjithatë, disa demonstrues vazhdojnë të brohorasin “vdekje diktatorit”, duke kundërshtuar sundimin e liderit suprem Ali Khamenei dhe teokracinë e Iranit, pavarësisht kërcënimeve për arrestim, burgim dhe madje edhe mundësinë e një dënimi me vdekje.

Si nisën protestat në Iran?

Policia iraniane e mbikëqyrjes së sjelljes e arrestoi 22-vjeçaren Amini më 13 shtator në Teheran, ku kishte udhëtuar me vëllain e saj nga qyteti i vogël Saqez, në rajonin kurd. Ajo humbi ndjenjat në një rajon policor dhe vdiq tri ditë më pas.

Policia e ndaloi atë për mbajtjen në mënyrë jo të duhur të hixhabit. Irani kërkon që gratë të mbajnë shaminë në një mënyrë që t’i mbulojë plotësisht flokët e tyre kur janë në publik. Vetëm Afganistani nën sundimin e talibanëve zbaton tashmë në mënyrë aktive një ligj të ngjashëm – madje edhe një vend tepër konservator si Arabia Saudite e ka anuluar zbatimin e tij gjatë viteve të fundit.

Policia mohoi keqtrajtimin e Aminit dhe tha se ajo ka vdekur nga një atak në zemër. Presidenti Ebrahaim Raisi premtoi se kjo ngjarje do të hetohet.

Familja e Aminit thotë se ajo nuk kishte histori problemesh me zemrën dhe se iu ndalua ta shihnin trupin e saj përpara se të varrosej. Demonstratat shpërthyen pas funeralit të saj në qytetin kurd të Saqezit dhe u përhapën shpejt në pjesë të tjera të vendit, përfshirë Teheranin.

Si trajtohen gratë në Iran?

Gratë në Iran kanë qasje të plotë në arsim, punojnë jashtë shtëpisë dhe mbajnë poste publike. Por, atyre u kërkohet të vishen në mënyrë modeste në publik, çka përfshin mbajtjen e hixhabit, si dhe veshjet e gjata dhe të lirshme. Burrave dhe vajzave të pamartuara u ndalohet të qëndrojnë së bashku.

Rregullat, të cilat datojnë në ditët pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, zbatohen nga policia e moralit. Këto forca, të njohura zyrtarisht si Patrulla Udhëzuese, janë të vendosura nëpër zona publike. Ato përbëhen nga burra dhe gra.

Zbatimi i këtyre rregullave u lehtësua nën regjimin e ish-presidentit Hassan Rouhani, një politikan relativisht i moderuar, i cili akuzoi policinë e moralit për sjellje tepër agresive. Në vitin 2017, kreu i kësaj force rendi tha se nuk do t’i arrestonte më gratë për shkelje të kodit të veshjes.

Por, nën regjimin e presidentit Raisi, një konservator i linjës së ashpër që u zgjodh vitin e kaluar, policia e moralit duket se s’ka të ndalur. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut shprehet se gratë e reja janë goditur me shuplakë në fytyrë, janë rrahur me shkopinj dhe janë marrë me forcë në automjetet e policisë gjatë muajve të fundit.