Këngëtarja dhe aktorja amerikane, Selena Gomez, prezantoi paraqitjen e shkurtër të dokumentarit të saj të ardhshëm, “Selena Gomez: My Mind & Me”, ku ndër të tjera foli hapur për problemet me shëndetin mendor.
30-vjeçarja vendosi të ndajë me fansat në mbarë botën një vështrim në pjesët intime të jetës së saj dhe problemet e vazhdueshme të shëndetit mendor.
Traileri, i cili u publikua në YouTube, tregon faza të ndryshme të jetës së yllit, që nga pamjet e fëmijërisë, klipet nga performancat e deri te disa momente personale, si biseda për gjendjen e saj dhe momente nga spitali.
“Kam punuar gjithë jetën time që e vogël dhe nuk dua të jem super e famshme. Por, e di që nëse tashmë jam këtu, duhet ta përdor për të mirën time”, thotë Selena mes lotësh.
Gomez ka qenë e hapur me fansat për problemet e saja shëndetësore gjatë viteve, duke përfshirë diagnostikimin me lupus në vitin 2014 dhe duke luftuar me ankthin dhe depresionin. Në vitin 2020, ajo zbuloi se ishte diagnostikuar edhe me çrregullim bipolar.
Lupusi eritematoid sistemik që njihet shkurt si lupus, është një sëmundje autoimune, në të cilën sistemi imunitar i organizmit i sulmon gabimisht indet e shëndetshme në shumë pjesë të trupit.
Simptomat dallojnë te njerëzit e ndryshëm dhe mund të jenë nga të lehtë deri në të rëndë. Simptomat më të shpeshta janë dhimbja dhe ënjtja e nyjave, ethet, dhimbja e gjoksit, humbja e flokëve, ulcerat në gojë, ënjtja e nyjave limfatike, ndjenja e lodhjes dhe skuqja e lëkurës më së shpeshti në fytyrë.
Zakonisht ka periudha të sëmundjes dhe periudha të lehtësimit, kur simptomat janë më të lehta.
“Vetëm bëhu kjo që je, Selena”, dëgjohet duke i thënë ajo vetes. “Askujt nuk i intereson se çfarë bën ti. Ka të bëjë me atë se kush jam unë. Se jam mirë ku jam. Jam mirënjohëse sepse jam gjallë”, vazhdon këngëtarja, përpara se të thotë më në fund: “Më lejoni të bëj një premtim: ‘Unë do të ndaloj së jetuari kështu’”.
Në trailerin prej dy minutash e gjysmë, shfaqet edhe shoqja e kahershme e këngëtares, Raquelle Stevens, e cila flet për mbështetjen që i ka dhënë Selenas gjatë viteve.
Gomez shpjegoi gjithashtu pse u bë një avokate e shëndetit mendor, duke thënë se përvojat e saj të jetës e bënë të ndihej gati për të ndihmuar të tjerët që po përjetonin të njëjtën gjë.
Dokumentari “Selena Gomez: My Mind & Me” do të jetë i disponueshëm për shikuesit në Apple TV nga 4 nëntori. Projekti u drejtua dhe u prodhua nga Alek Keshishian, i cili gjithashtu shkroi dokumentarin “Madonna: Truth or Dare” nga viti 1991.