Nis sekuestrimi në Brezovicë, prokurori Maloku konfirmon aksionin

Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë nisur sot një operacion në Brezovicë.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga prokurori i rastit, Rasim Maloku.

Maloku deklaroi se operacioni i sotëm ka të bëjë me një operacion të sekuestrimit.

“Sot jemi në Brezovicë, për një operacion të sekuestrimit”,deklaroi Maloku.

Ndryshe rasti i njohur si “Brezovica”, ka patur disa operacione radhazi.

Në kuadër të hetimeve që po bëhen në këtë rast, Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar mbi 30 persona.

“Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit”, “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”- janë këto veprat penale, për të cilat po hetohen biznesmenë e zyrtarë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ndryshe në aksionin e fundit që u zhvillua para pak ditës, prokurori Maloku kishte theksuar se janë rreth 30 të arrestuar, 18 nga ta ndodhen në paraburgim, kurse tre të tjerë në arrest shtëpiak, por që ka edhe prej tyre me masë më të butë të ndalimit.

“Është ngritur një aktakuzë për 11 të pandehurit – tre nga ta janë zyrtarë kurse 8 janë investues në zonën e parkut kombëtarë Sharri në Brezovicë. Janë nën hetim dhe 70 të pandehur të ndarë në dy lëndë. Mbi 30 persona te arrestuar- 18 paraburgim 3 në arrest shtëpiak dhe disa me masa me te buta e dita mbrohen në liri. Pra varësisht nga rrezikshmëria se sa e pengojnë hetimet apo mund të arratisen”, kishte thënë Maloku.

Rasti “Brezovica”,vazhdon të jetë në zgjerim e sipër, ndërsa në lidhje me hetimet në këtë rast janë zhvilluar hetime në disa prej rajoneve të Kosovës.

Të arrestuarit në këtë rast janë nga Prishtina, Ferizaj, Hani i Elezit, e shumë komuna të tjera në vend.