Murati e pranon se borxhi publik ishte i lartë, deputetët i kërkojnë llogari

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike e ka shqyrtuar raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. Të ftuar në Komision ishin: Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Auditorja e Përgjithshme e ZKA-së, Vlora Spanca, raporton Ekonomia Online.

Murati fillimisht njoftoi se për mungesë në mbledhjen e javës së kaluar nga kabineti i tij kanë njoftuar përmes telefonit, duke thënë se i vjen keq që deputetët nuk e kanë marrë një informatë të tillë.

“Kabineti im ka njoftuar përmes telefonit me koordinatorin dhe ka thënë që ministri nuk mund të vijë. Komisioni ka qenë i njoftuar dhe më vjen keq që nuk jeni njoftuar”.

Murati theksoi se viti i kaluar ka qenë vit sfidues për shkak të pandemisë dhe se borxhi publik ishte i lartë.

“Kishim edhe probleme me ekonominë sepse çdo mbyllje shkaktonte pasoja. Gjatë pjesës së dytë të vitit kishim ngritje të çmimeve dhe po ashtu krizën energjetike. Ishte një vit jo i lehtë. Konsiderojmë që si vit fiskal kemi mbyllur shumë mirë. Kemi pasur rritje të të hyrave”.

“Në aspektin tatimor kemi pasur disa luftimin e formalitetit. Përmes pakos kemi pasur një sërë masash shtesat për fëmijë dhe lehona. Këtë vit kemi arritur ta ulim edhe borxhin publik. Kemi ulje të veturave që qarkullojnë pa regjistrim. Kemi pasur vit mjaft të suksesshëm. Ky plan i veprimit do të shkojë në qeveri.  Sa i përket borxhit publik ka qenë situatë kur kemi qenë duke dalë nga pandemia. Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare kanë qenë marrëveshje që i kemi gjetur aty”.

“Ne kemi gjetur buxhetin 2 milionë e gjysmë për shpronësime në ministrinë e planifikimit hapësinor. Këtë vit kemi buxhetuar 50 milionë euro shtesë. Përgjatë 20 vjetëve keni krijuar shumë probleme dhe është vështirë të zgjidhen për 1 vjet e gjysmë. Nuk kam numër për regjistrimin e veturave. Numri i veturave të paregjistruara është reduktuar”.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se në zyrën e Komisionit sipas koordinatorëve nuk ka pasur telefonatë për mungesë e ministrit.

Sipas saj, shuma e borxheve të qytetarëve ndaj Qeverisë është 77.6 milionë.

“Në zyrën e Komisionit sipas koordinatorëve nuk ka pasur telefonatë. Megjithatë mbledhja është mbyllur se nuk ka pasur material për të diskutuar. Afati i fundit për shqyrtimin e raportit është fundi i muajit. Sipas ZKA raporti paraqet pamje të drejtë”.

“Kategoria më e ndikuar janë shpenzimet kapitale me 9.2 milionë. Shuma e borxheve të qytetarëve ndaj Qeverisë është 77.6 milionë. Një bazë tjetër kanë qenë detyrimet e papaguara të organizatave buxhetore”.

Bezad Halilaj, zëvendësauditori i përgjithshëm, tha se bazuar në të gjeturat borxhi publik është rritur për 13%.

Madje ai ka kërkuar nga Qeveria dhe komuna që të trajtojnë gjendjen e ndërmarrjeve publike.

“Mandati kushtetues i auditorit është të auditojë buxhetin e Kosovës. Raporti është përmbledhje e pasqyrave financiare e 182 auditimeve. Zyra e auditimit ka kryer 90 auditime. Nga auditimi i pasqyrave janë dhënë 90 opinione dhe 44 opinione kanë qenë të modifikuara”.

“Niveli i inkasimit ishte përmirësuar dukshëm. Borxhi publik është rritur për 13%. Niveli për shpenzime ishte 68% që krahasuar me vitin e kaluar vërehet një realizim me i lartë i buxhetit. Ftojmë Qeverinë dhe komunat që të trajtojnë problemet që përballen ndërmarrjet publike”.

Deputetja e AAK, Albana Bytyqi, tha se borxhi publik është rritur për 14%, duke e quajtur dështim vonesën e pagave për mësimdhënësit.

“Sipas raportit borxhi publik është rritur 14%. Kreditë për 5 projekte nuk janë tërhequr. Projekti i ujërave të zeza në Gjilan. Pse nuk kanë përfunduar këto projekte. 199 punëtorë kanë marrë pagë pa qenë në punë dhe sa vetura janë regjistruar?. T’i është dashtë me marrë masa më herët. Nëse ke dështuar 20 mijë mësimdhënës nuk iu ke dhënë pagat”.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa pati një varg kritikash për buxhetin, madje tha se VV-ja përmes protestave të organizuar ka shkaktuar edhe vdekjen e qytetarëve, raporton EO.

“Nëse flasim për vitin 2020 keni qenë edhe ju Qeveria Kurti1 dhe janë paguar 199 punëtorë. Sa kohë ju duhet për mos mi paguar punëtorët që nuk vijnë në punë”.

“E kemi 13% borxhin publik sa është tani. Mangësi dhe tejkalim i furnizimit në kontratën kornizë. Ju  i keni nxjerr njerëzit në rrugë dhe janë vrarë”.

Deputetja e VV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku foli për mbylljen e mbledhjes javën e kaluar duke thënë se është mirë të kërkohet falje nga Bajrami.

“… është njerëzore me gabuar, por edhe duhet kërkuar falje. Mendoj që duhet një kërkim falje. Memoria institucionale është vazhdimësi”.