Casillas mori gjithë vëmendjen edhe në vitin 2010 – puthi një gazetare para kamerave dhe më pas u martua me të

Spanjolli legjendar, Iker Casillas, e ka tronditur sot (e diel) publikun duke shkruar në Twitter se është homoseksual.

Edhe pse rezultoi se profili i tij ishte hakuar, faqet rozë e kanë rikujtuar fillimin e marrëdhënies me ish- bashkëshorten e tij, Sara Carbonero.

Historia romantike e çiftit (së paku në syrin e publikut, meqë ata ishin në lidhje më herët) filloi në vitin 2010 kur portieri legjendar, pasi u bë kampion bote me Spanjën, e puthi një gazetare para të gjitha kamerave që ishin fokusuar tek ai.

Pasi dha deklaratën e tij dhe e falënderoi, Casillas e puthi dy herë Carboneron, veprim me të cilin ajo u hutua pak dhe më pas tha: “O Zot”.

Ky moment u përhap në media me shpejtësi marramendëse dhe mbeti në kujtesën e shumë njerëzve si një nga situatat më të paharrueshme nga Kampionati Botëror në Afrikën e Jugut. Ishte një konfirmim që ata ishin bashkë.

(Foto: Screenshot/RTVE)

Që atëherë, çifti ka qenë vazhdimisht nën syrin e mediave, por pa asnjë skandal apo sherr, ata konsideroheshin si një nga marrëdhëniet më shembullore në botën e të famshmëve. U martuan në vitin 2016 dhe kanë dy djem bashkë.

Ata e mbështetën shumë njëri-tjetrin dhe kjo u bë veçanërisht e dukshme kur të dy kishin probleme shëndetësore. Përkatësisht, Iker ka pësuar një atak në zemër, ndërsa Sara po luftonte me tumorin e vezoreve. Pikërisht për gjithçka që kanë kaluar së bashku, bota u trondit nga lajmi se çifti po shkurorëzohej në vitin 2021.

 

Edhe pas ndarjes, ata e ruajtën respektin për njëri-tjetrin dhe pasi dorëzuan letrat e divorcit, gjithçka ndodhi shpejt. Sara dhe Iker arritën një marrëveshje që fëmijët të jetonin me nënën e tyre dhe që babai t’i vizitonte.

“Respekti, dashuria dhe miqësia do të mbeten gjithmonë. Nga dashuria dhe përkushtimi, prioriteti ynë është të sigurojmë mirëqenien e fëmijëve tanë dhe t’i mbrojmë, në mënyrë që të rriten në një mjedis të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët në atë kohë.

Pas momenteve të vështira, u duk se spanjolli e gjeti sërish lumturinë. Në fillim të shtatorit, mediat vendase raportuan se ai ishte në një lidhje me Maria Jose Camacho.

 

Gjatë të dielës, Casillas e shokoi sërish botën me një postim në Twitter, ku thoshte së është homoseksual.

Postimi u zhduk shpejt nga profili i tij dhe 41-vjeçari u kërkoi falje ndjekësve të tij dhe komunitetit LGBT.

“Profili im është hakuar. Për fat të mirë, gjithçka është në rregull. Kërkoj ndjesë për të gjithë ndjekësit e mi dhe sigurisht, një tjetër falje për komunitetin LGBT”, shpjegoi Casillas.