KOSTT nëpërmjet një sqarimi për media ka thënë se kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të kësaj kompanie asnjëherë nuk ka deklaruar se Kosova ka blerë energji nga Serbia apo kompanitë serbe.
“Me këtë rast sqarojmë që në pyetjen e deputetit z.Ferat Shala në lidhje me blerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike si dhe rreth kompanive nga të cilat janë realizuar blerjet, z.Mehmeti ka cituar listën e palëve tregtare me të cilat KOSTT ka Marrëveshje Kornizë për pjesëmarrje në ankandet për blerjen e energjisë që shpallen nga KOSTT, për mbulim të humbjeve teknike. z.Mehmeti asnjëherë nuk ka deklaruar se Kosova ka blerë energji nga Serbia apo nga kompanitë serbe, siç po raportohet nga mediat. Në listen e raportuar nuk është asnjë kompani serbe”, thuhet në komunikatë.
Më herët u raportua se në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, Mehmeti ka përmendur kompaninë GEN, me zyrë në Beograd, me të cilën Kosova ka tregtuar energji.