Artisti turk Onur Sener vritet pasi nuk dinte këngën që iu kërkua të këndonte

Turqia u trondit nga vrasja e një muzikanti në një klub nate në Ankara të dielën (2 tetor), në të cilën dyshohet se ishin përfshirë disa punonjës nga një ministri shtetërore dhe një agjenci publike, raportojnë mediet turke.

Muzikanti Onur Sener, 45 vjeç, u plagos rëndë, nga një grup klientësh, në një klub nate në lagjen Çankaya të Ankarasë pas një sherri që shpërtheu për një kërkesë për këngë.

Mosmarrëveshja thuhet se shpërtheu kur Sener u tha klientëve se nuk e dinte këngën që i kërkuan të këndonte.

Debati verbal që nisi pasi Sener tha se nuk e dinte këngën, kjo u shndërrua në një përleshje fizike, gjë që përfundoi kur ndërhynë stafi i lokalit dhe klientët.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes, thanë se policia ka ndarë përleshjen, por Sener, i cili ka mbetur i plagosur rëndë nga shishe qelqi në fyt, ka ndërruar jetë në spital me gjithë ndërhyrjet mjekësore.

Pesë persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e muzikantit. Tre nga të dyshuarit, dy burokratë dhe një inxhinier në TAI, u arrestuan, ndërsa dy të dyshuar të tjerë u lanë të lirë nën mbikëqyrjen gjyqësore të hënën (3 tetor).

Vrasja e Senerit, i cili mori pjesë në një konkurs televiziv të titulluar “O Ses Türkiye” (versioni turk i The Voice) në 2013, shkaktoi zemërim midis të famshmëve dhe përdoruesve të mediave sociale në Turqi, të cilët kritikuan Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet për politikën e saj të mosndëshkimit të nëpunësve publikë.