Deklarimet e Qeverisë, përfshirë edhe atë të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila se nuk do të ketë paga për mësimdhënësit që kanë qenë në grevë i ka komentuar edhe profesori universitar, Blerim Latifi.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se në shkolla sot ka parë se përtej atmosferës së zymtë që po ndihej nga të gjithë, mësuesit mundoheshin të krijonin atmosferë festive.
Latifi thotë se në ato momente ka parë deklaratën e Kusari-Lilës ku thotë se nuk do të ketë pagë për mësimdhënësit për muajin shtator.
“U irritova dhe thash me vete : Qysh s’i vjen marre që pikërisht në këtë ditë të dalë me këtë deklaratë. Qysh s’i vjen marre, asaj dhe shumë kolegëve e kolegeve të saj, të cilët nuk kanë probleme financiare në përballimin e jetës së përditshme, ngase paguhen si askush tjetër në Kosovë, ndërsa puna që bëjnë realisht vlen më pak se puna e mësuesve.”, tha Latifi.
Ky është postimi i tij:
Isha në shkollë sot.E dërgova djalin tim gjashtë vjeçar në ditën e parë të shkollës. Mësuesit mundoheshin të krijonin një atmosferë festive. Edhe prindërit, derisa i drejtonin fëmijët drejt tyre me buqeta lulesh. Por atmosfera e zymtë ndihej nga të gjithë. Arsyeja dihet. Në ndërkohë, derisa po prisnim që fëmijët të futeshin në klasa, unë e hapa telefonin. Në ballinë të portaleve një deklaratë e Mimoza Kusarit. Në deklaratë ajo thoshte se për mësuesit grevistë nuk do të ketë pagë të shtatorit. U irritova dhe thash me vete : Qysh s’i vjen marre që pikërisht në këtë ditë të dalë me këtë deklaratë. Qysh s’i vjen marre, asaj dhe shumë kolegëve e kolegeve të saj, të cilët nuk kanë probleme financiare në përballimin e jetës së përditshme, ngase paguhen si askush tjetër në Kosovë, ndërsa puna që bëjnë realisht vlen më pak se puna e mësuesve.
Pse?
Sepse, praktikisht, sot Kuvendi i Kosovës është një ndër institucionet më dembele dhe më joefektive në krejt sistemin institucional të Kosovës. Realizimi i agjendës legjislative është për faqe të zezë dhe nëse do të vendosej një standart për t’i paguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në bazë të realizimit të kësaj agjende, jo 2000 euro, por as 200 nuk do të mund t’i merrnin.
Debatet që bëhen aty në shumicën e kohës janë debate të një niveli shumë të ulët intelektual e profesional. Të vetmen punë që Mimoza Kusari e shumica e kolegëve e kolegeve të saj dinë ta bëjnë mirë është të prodhojnë akuza kundër njëri tjetrit, sa për të dalë në media dhe për t’i kënaqur militantët e shkretë të partive të tyre.
Me fjalë të tjera : ata janë pasqyra ma objektive e rënies intelektuale e kulturore, të cilën shoqëria kosovare është duke e jetuar viteve të fundit.