Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski deklaroi se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga rimarrja e të gjitha rajoneve që janë të pushtuara dhe që do të aneksohen nga Rusia.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelenski u shpreh se situata është nën kontroll dhe se gjithçka do të jetë e Ukrainës.
Zelensky diskutoi planet për çlirimin e territoreve të pushtuara nga Rusia, me komandantin suprem ushtarak të Ukrainës.
Sipas tij, Ukraina po vazhdon të furnizojë trupat e saj me armë dhe municione të tjera.
Pas referendumeve të rreme të zhvilluara në katër rajonet e Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, Kremlini bëri me dije se Presidenti Putin do të nënshkruajë një ligj për aneksimin e tyre.
Zëdhënësi Dmitry Peskov, tha se administratorët e rajoneve të emëruar nga Moska do të nënshkruajnë traktate për t’u bërë pjesë e Federatës Ruse.
Sipas zyrtarëve rusë, katër rajonet, të cilat përfaqësojnë rreth 15% të Ukrainës, votuan me shumicë për t’u bashkuar me Rusinë.
Këto rajone, formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.