Presidentja Vjosa Osmani pret numri një të FIFA-s, Gianni Infantino

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ishte i shoqëruar nga presidenti Agim Ademi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe presidenti i FFM-së, Muamet Sejdini.

Në delegacion me Infantinon janë edhe Mattias Grafstrom, zv/sekretar i përgjithshëm i FIFA-s, Alasdair Bell, zv.sekretari i përgjithshëm i administratës së FIFA-s, Youri Djorkaeff, këshilltar i lartë i futbollit dhe Federico Raviglione, menaxher i zyrës së presidentit Infantino.

Kosova është anëtarja e 210-të e FIFA-s, për të cilën gjë Presidentja Osmani e ka falënderuar presidentin Infantino, ngase që në Kuvendin e parë të kësaj organizate, prej kur ai mori drejtimin e kësaj organizate, e vendosi në agjendë pranimin e Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Fadil Vokrrit për pranimin në UEFA dhe FIFA.

Sipas saj, Kosova tashmë është anëtare e FIFA-s, porse ka nevojë për ndihmë në aspektin infrastrukturor sportiv, duke përmendur këtu stadiumet e reja të nevojshme për sportistët kosovarë.

Në takim me presidentin Infantino, Presidentja Osmani ka diskutuar mundësitë për stadiume të reja si dhe për projekte të tjera investuese në infrastrukturën sportive.

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e FIFA-s për sportistët e rinj të Kosovë dhe përmendur klubin e vajzave të vogla në futboll, të cilat sipas saj kanë nevojë për infrastrukturë të qëndrueshme.

Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e ekipeve kosovare në garat ndërkombëtare.