Nënkryetari i Grupit të Miqësisë Kosovë-Çeki në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Rashit Qalaj, së bashku me anëtarin e këtij grupi, Mërgim Lushtaku, pritën në takim Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Çekisë.
Duke falënderuar për anëtarët e Komisionit parlamentar çek për vizitën e tyre në Kosovë, anëtarët e Grupit të Miqësisë Kosovë-Çeki vlerësuan lart mbështetjen e tyre në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën gjatë procesit të integrimit, si dhe të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Marek Ženišek, premtoi se do të angazhohen që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të finalizohet gjatë kryesimin çek të Komisionit Evropian.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin e deritashëm mes Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar rëndësinë e rritjes së këtij bashkëpunimi edhe përmes zhvillimit të diplomacisë parlamentare, me rol të theksuar të grupeve të miqësisë.
Takimi u përmbyll me diskutime rreth situatës së përgjithshme politike e sociale në Kosovë.