Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, gjatë kësaj jave do të vizitojë Kosovën.
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve çeke ai është shprehur se Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ka nevojë për liberalizim të vizave, shkruan Euractiv.
Sipas tij, qëllimi i Republikës Çeke gjatë kryesimit të Bashkimit Evropian është që të shtyjë procesin e integrimit përpara.
“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Në të njëjtën kohë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për të çuar përpara të gjithë procesin integrues”, tha kreu i diplomacisë çeke.
Tutje, ai thotë se parakusht për liberalizimin e vizave është plotësimi i një numri të madh të kushteve shumë teknike.
Megjithatë, Komisioni Evropian tashmë ka konfirmuar vazhdimisht se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat e përcaktuara.
“Prandaj, Presidenca çeke pret që nëse i ashtuquajturi përditësimi teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, i cili aktualisht është duke u finalizuar nga Komisioni Evropian, shkon mirë, shtetet anëtare do të merren sërish me këtë çështje, gjatë vjeshtë”, shtoi Lipavsky.