Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës ka paralajmëruar protestë në rast se Qeveria e Kosovës nuk arrin marrëveshje me SBASHK-un lidhur me kërkesat e mësimdhënësve.
Një gjë e tillë është parashtruar me anë të një letre të përbashkët drejtuar kryeministrit Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, si dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, shkruan lajmi.net.
Në letër precizohet data një tetor si periudha e fundit kur duhet të gjendet zgjidhja mes dy palëve.
“Nëse deri të shtunën, me datë 1 tetor nuk gjendet zgjidhja, atëherë prindërit do të jenë të detyruar që të shprehin indinjatën e tyre përmes protestës!”, deklarohen nga ky këshill.
Njoftimi i plotë:
Letër e hapur nga Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës, drejtuar:
- Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu
- Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti
- Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca
- SBASHK
E nderuara znj.Presidente, i nderuar z. Kryeministër, i nderuar z.Kryetar i Kuvendit, e nderuara kryesi e SBASHK-ut,
Ne si Kryesi e Këshillit të Prindërve të Kosovës, duke parë se gjendja me grevën në shkollat tona tanimë e ka humbur çdo arsye, ju drejtohemi me kërkesën që të lëvizni urgjentisht në mënyrë që nxënësit të kthehën në bankat shkollore!
Ne si prindër, shumë herë jemi ndier të pafuqishëm dhe të zhgënjyer me gjendjen e krijuar. Deri më sot nuk i kemi drejtuar gishtin askujt për t’i kërkuar përgjegjësi për veprimet që po ndodhin në arsim.
Sot, konsiderojmë se jemi sfiduar qenësisht dhe gjendja me të cilën po përballemi nuk ka më asnjë kuptim, sepse prindërit kanë filluar ta humbin durimin.
Nëse deri të shtunën, me datë 1 tetor nuk gjendet zgjidhja, atëherë prindërit do të jenë të detyruar që të shprehin indinjatën e tyre përmes protestës!
Ju ftojmë edhe një herë që të adresoni kërkesën tonë me prioritet të lartë!