Artan Mehmetaj është mbajtës i një familjeje 9-anëtarëshe, nuk ka punë të rregullt, por përfiton nga ndihmat që i ofron shteti.
Ky 35-vjeçar nga Prishtina merr 120 euro në muaj asistencë sociale dhe nga 10 euro për secilin nga shtatë fëmijët që ka – në total 190 euro.
Për t’i siguruar këto mjete, atij i duhet të plotësojë një kusht: të mos ketë të punësuar asnjë anëtar të familjes.
Ai angazhohet vetë kohë pas kohe, duke bërë punë të ndryshme krahu, por pa u regjistruar diku si punëtor.
“Unë kam dëshirë të kem një punë me kontratë, por me një pagë më të lartë, jo 300 euro, nuk kam llogari, sepse dal nga asistenca sociale. Kështu po punoj nganjëherë, plus asistenca, e po bëhet diçka”, thotë Mehmetaj.
Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se ka muaj që fiton më shumë se 300 euro nga puna që bën, por se ka edhe periudha që nuk arrin as gjysmën e kësaj shume.
Si punëtor i paregjistruar, ai nuk paguan tatime për shtetin e as kontribute për pensionin e tij.
Si ai, që refuzon punën e rregullt për të përfituar asistencën sociale, duket se ka një numër të madh të qytetarëve në Kosovë.
Fidan Hallaqi, i cili zotëron dy kompani në Prishtinë – një në sektorin e transportit dhe një në atë të hotelerisë – thotë se përballet shpesh me punëkërkues që nuk duan kontratë të rregullt.
Hallaqi thotë se paga mesatare që ofron, është 460 euro në muaj.
Ai tregon se në çdo konkurs që hap, 30 deri në 50 për qind e punëkërkuesve që ftohen për intervistë, janë përfitues të asistencës sociale.
“Ne u ofrojmë atyre afat shtesë për të vendosur nëse duan të shkëputen nga përfitimet e skemës sociale dhe të punësohen. Por, nuk e kemi pasur as edhe një rast të tillë që ka vendosur të largohet nga skema sociale për punësim mekontratë të rregullt”, thotë Hallaqi për Radion Evropa e Lirë.
Ky fakt, shton ai, pamundëson punësimin e tyre, pasi, siç thotë, nuk mund t’i ekzekutojë pagat dhe detyrimet tjera me transaksione joformale.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se papunësia në Kosovë, vitin e kaluar, është sjellë mes 20.5 për qind dhe 25.8 për qind.