Në fjalën e saj, komisionarja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka thënë se të drejtën për t’u informuar nuk mund ta kufizojë një shtet që prihet nga parimet demokratike dhe mbi këtë bazë sot Kosova e ka kornizën ligjore të mirëharmonizuar me vendet më të zhvilluara evropiane, konceptin dhe rrugëtimin e së cilave po e ndjek.
“Funksionalizimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi si organ i pavarur, përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjit për qasje në dokumente publike me kompetenca dhe autorizime ligjore për të vendosur sanksione administrative ndaj institucioneve publike të cilat mohojnë të drejtën për qasje në dokumente publike është një hap përpara që tregon drejtimin e republikës tonë në përmbushjen e standardeve evropiane. Por, gjithsesi nuk është vetëm kjo baza e qëndrueshmërisë institucionale për realizimin e së drejtës për t’u informuar. Baza e kësaj qëndrueshmërie fillon dhe mbaron tek institucioni përkatës publik, referuar këtu ndërtimit të kulturës institucionale të publikimit me vetinciativë të çdo dokumenti publik që institucionet e prodhojnë”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.
Ajo tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi ka dhënë shembull konkret në rritjen e transparencës duke shqyrtuar ankesat e pranuara nga qytetarët, shoqëria civile dhe gazetarët, duke nxjerrë vendime detyruese për institucionet, por edhe vendime sanksionuese, duke vendosur kështu standardet më të mira të bazuara në vendimet e gjykatave evropiane.
Tutje deklaroi se përmes diskutimit me panelistë do të ngrenë sfidat dhe mundësitë e realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike, e me fokus të veçantë qasjen proaktive.
“Diskutimet konstruktive do të ndihmojnë në nxjerrjen e konkluzioneve në këtë konferencë e të cilat do të shërbejnë në hartimin e objektivave tona dhe orientimin për realizimin e aktiviteteve në ngritjen e ndërgjegjësimit institucional për publikim me vetiniciativë të dokumenteve publike”, ka thënë ajo.
Kurse, kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjes e Sigurisë e Mbrojtjes, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha tha se konfirmon mbështetjen e komisionit parlamentar, por edhe të Kuvendit për punën e agjencisë në garantimin e të drejtës themelore për informimin dhe qasjes në dokumente publike.
“Si parlamentar dhe si kryetar i komisionit dua të theksoj me këtë rast tri dimensionet parlamentare në lidhje me agjencinë, dimensioni i parë është miratimi i ligjeve dhe akteve ndërkombëtare dhe të veprojmë në kohë për të përmbushur këtë detyrë, qoftë plotësimin dhe ndryshimin e legjislacionit apo ratifikimin të ndonjë akti ndërkombëtar, i dyti është shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit për të siguruar burimet e nevojshme për funksionimin e agjencisë. Jemi të vetëdijshëm që për punën e suksesshme të agjencisë duhen fonde të mjaftueshme dhe brenda mundësive do të kujdesemi që agjencia të mos vuaj për kapacitetet e saj themelore”, tha ai.
Tutje, tha se dimensioni i tretë është mbikëqyrja parlamentare e punës së agjencisë, duke shqyrtuar dhe miratuar planin e performancës dhe raportet e punës me qëllim të sigurimit që agjencia do të jetë në funksion të zbatimit të ligjit, shpenzimit efikas të buxhetit dhe krijimit të një kulture institucionale, transparente dhe llogaridhënëse.
“E di për problemet me të cilat jeni përballë, por i di edhe përpjekjet e gjithë juve që këtë agjenci ta bëni funksionale dhe ta avanconi. Do të keni përkrahjen e të gjithë neve”, deklaroi Berisha.
Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, ka thënë se e drejta për qasje në informatë nuk është vetëm e drejtë civile, por gjithashtu është çelësi në luftën kundër korrupsionit dhe në përforcimin e demokracisë në një shtet, llogaridhënien e qeverisë dhe administratës publike të një shteti.
Ajo tha se Kroacia ka rimodeluar ligjin për të drejtën për qasje në informacion në vitin 2003 dhe se kanë themeluar Agjencinë për Mbrojtjen e të dhënave. Sipas saj, në vitin 2013 kanë vendosur të themelojnë edhe një institucion të pavarur që është Komisioneri për Informata që është i pavarur dhe ka mundësinë të monitorojë, parashtrojë padi dhe mbrojë të drejtën e qytetarëve për qasje në informata publike.
Ajo bëri të ditur se ka mbajtur pozitën e komisionares për Informatë në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kroacisë më parë dhe se në atë kohë qytetarët nuk ishin të informuar dhe ndoshta nuk kishin dijeni si të shfrytëzonin të drejtën e tyre për qasje në informata. Tutje, me të pranishmit, ajo ndau një rast që i kishte ndodhur me një qytetar gjatë kohës kur ushtronte këtë pozitë.
“Por përmes procesit tonë të negociatave, përmes periudhës sonë të hyrjes në Bashkimin Evropian, ne mësuam se si të përdorim të drejtat tona qytetare, të drejtat tona demokratike, të drejtat tona për të parë informacion transparent publik dhe të gjithë informacionin e përdorur ose të bërë nga institucionet publike. Tashmë të gjitha institucionet publike janë të detyruara t’i vendosin në faqen e internetit, por në mënyrë që të gjithë t’i gjejnë ato informacione, jo t’i fshehin diku që mund t’i gjejë vetëm dikush që është shumë i aftë në IT, por shumë transparente që të gjithë mund t’i shohin ato”, ka thënë ambasadorja.
Sipas saj, kjo është diçka që me të vërtetë rrit demokracinë në vend dhe gjithashtu besimin e njerëzve në administratën e tyre publike, për çka shtoi se mendon se është me të vërtetë çelësi për shoqërinë e sotme dhe vendet.
“Dhe veçanërisht sot kur duhet të luftojmë me lajmet e rreme, kur duhet të luftojmë me sulmet hibride dhe është vërtet e rëndësishme për qytetarët që të jenë plotësisht të informuar dhe informacioni nga administrata publike të jetë transparent dhe i qasshëm për publikun”, ka thënë ajo.
Po ashtu, në këtë konferencë pati edhe një fjalim nga ana e John Hanley, këshilltar rezident ligjor në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
“Qasja universale në informacion do të thotë që të gjithë kanë të drejtën e kërkimit, mbajtjes dhe përcjelljes së informacionit. Shumica prej nesh këtu ose shumë prej nesh këtu janë nëpunës publikë dhe taksapaguesit financojnë punën që bëjmë. Ne duhet të mbajmë llogari para atyre taksapaguesve për mënyrën se si i shpenzojmë paratë që na janë dhënë dhe për mënyrën se si i komunikojmë publikut punën që bëjmë. Ne duhet të jemi llogaridhënës. Transparenca lejon dhe inkurajon publikun që ta mbajë qeverinë përgjegjëse për vendimet dhe veprimet që ne bëjmë si zyrtarë publikë”, ka thënë ai.
Ai tha se dëshiron të theksojë rëndësinë e transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë e sipas tij sistemi këtu duhet të ketë standarde të qarta për të përcaktuar se çfarë informacioni mund t’i zbulohet publikut dhe ato standarde duhet të zbatohen në mënyrë uniforme.
Tutje, deklaroi se dëshiron të përshëndeste komisionaren dhe agjencinë për përkushtimin e tyre të palëkundur në rritjen e llogaridhënies së qeverisë.
“Ndërsa qasja në dokumente publike është e rëndësishme, po aq e rëndësishme është edhe mbrojtja e privatësisë. Në kohën e digjitalizimit të përhapur, është e domosdoshme që ne të mbrojmë informacionin personal të njerëzve, veçanërisht të qytetarëve tanë më të cenueshëm, siç zbatohet në sistemin e drejtësisë penale. Ndërsa organizatat e shoqërisë civile dhe mediat kanë të drejtën e aksesit në të dhënat publike, ato gjithashtu janë të detyruara nga rregullat etike, në moszbulimin e informacionit që do të viktimizonte më tej grupet më të cenueshme të qytetarëve tanë dhe do t’i ekspozonte ata ndaj një lloj stigme”, ka thënë Hanley.
Në përfundimin e fjalës së tij, ai citoi një frazë të thënë për shoqërinë civile dhe transparencën nga atëkohë zëvendëspresidenti, Joe Biden që tani është president i Shteteve të Bashkuara. “Asnjë ndryshim themelor shoqëror nuk ndodh vetëm për shkak të veprimit të qeverisë. Ndodh sepse shoqëria civile, ndërgjegjja e një vendi fillon të ngrihet dhe të kërkojë ndryshim”.
Ehat Miftaraj, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se institucionet nuk po e praktikojnë transparencën të cilën e kanë premtuar.
Sipas tij, Qeveria ka premtuar transparencë, por nuk po e shohim në praktikë.
Megjithatë, si aspekt pozitiv ai e ka quajtur funksionalizimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
“Aspekti pozitiv është që me funksionalizim e agjencisë, na është hapë një derë e re me marrë qasje në dokumente të cilat fatkeqësisht institucionet publike nuk na kanë ofruar, do të thotë në të kaluarën. Një qasje negative është që fatkeqësisht dy vitet e fundit edhe për kundër asaj që partia në pushtet, qeveria na kanë premtuar transparencë radikale në qeverisjen, ofrim të informacionit, qasje në dokumente publike në 18 muaj qeverisje nuk është që po e shohim në praktikë”, shtoi ai.
Tutje, Miftaraj tha që edhe si organizatë joqeveritare kanë probleme në qasje në disa institucione.
“Institucionet kryesore ku do të thotë që nuk na ofrojnë qasje, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, janë si të themi si lloj kampion të cilët nuk është që ofrojnë transparencën në bazë të asaj që përcakton ligji dhe përcaktojnë obligimet edhe me rregullat e brendshme të këtyre institucioneve”, shtoi Miftaraj.
Megjithatë, sipas tij, për gazetarët dhe shoqërinë civile është shumë më e lehtë që të vijë deri tek informacioni sepse janë më të informuar se qytetarët. /BetimipërDrejtësi