Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do t’u drejtohet dy dhomave të parlamentit rus më 30 shtator (e premte), bëri të ditur inteligjenca britanike të martën.
Sipas Britanisë së Madhe, në këtë fjalim, Putini do t’i shpallë zyrtarisht rajonet e okupuara në Ukrainë si territore ruse, Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson, nëpërmjet referendumeve që nisën më 23 shtator.
Referendumet do të përfundojnë të martën (27 shtator), derisa inteligjenca theksoi se çdo votë pro referendumit, do të shfrytëzohet nga Rusia për ta justifikuar atë që e quan operacion special ushtarak në Ukrainë.
“Çdo anëtarësim do të konsiderohet si mbështetje patriotike për konfliktin. Kjo aspiratë mund të minohet nga rritja e vetëdijes së brendshme për pengesat e fundit të Rusisë në fushëbetejë”, thuhet në njoftim.
Pas shpalljes së mobilizim të pjesshëm rus, mijëra rusë u larguan nga Rusia, me arsyetimin se nuk duan të rekrutohen në luftë ndaj Ukrainës.