LDK-ja sërish i bën thirrje Qeverisë të gjejë zgjidhje për të filluar mësimi

Kryetare e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, i ka bërë thirrje Qeverisë që të gjejë zgjidhje sa i përket grevës në arsim.

Ajo shtoi se është përgjegjësi e Qeverisë të hap dialogun për të shkuar drejt zgjidhjes, duke bërë thirrje që kryeministri Albin Kurti të dialogojë me Këshillin Grevist.

Madje sipas saj, LDK-ja është e gatshme që të ndihmojë në këtë kohë krize dhe ta përkrah edhe Ligjin e Pagave.

“318 mijë nxënës janë në shtëpitë e tyre sepse qeveria nuk është e gatshme të gjejë zgjidhje për ta. Ky komoditet nuk i takon asnjë Qeveri në botë. Ne nuk shohim justifikim që të vazhdojë situata e tille. Kjo qeveri nuk ka dëshirë për të dialoguar. Ne mendojmë që zgjidhja është aq e kërkuar saqë dialogu do të duhej të ishte me orë të tëra që sistemi arsimor të zhbllokohet”.

“Më kryesorja është që mësimi të fillojë qysh nesër. Ne i bëjmë thirrje që Qeveria të marrë këtë punë seriozisht dhe të mos shkojmë deri në fund të muajit e që do t’i ndëshkonte mësimdhënësit”.

“LDK ka qenë e gatshme të ndihmojë në këtë krizë. Ne përkrahim edhe Ligjin për paga që Qeveria do të duhej të procedonte shumë më herët në parlament. Ne kemi nevojë për Ligjin e pagave sa më shpejt”.