Xhemajl Shala, Sadik Shala, Iskender Sale dhe Alban Gashi të akuzuar për shitblerje të narkotikëve dhe vepra tjera penale u dënuan me 26 vite burgim dhe 65 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi në fjalë, u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, fillimisht i akuzuari Xhemajl Shala dhe Iskender Sale për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”, secili veç e veç u dënuan me nga 8 vite e 6 muaj burgim dhe 25 mijë euro gjobë.
Ndërsa të njëjtit për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” u dënuan me nga 1 vit burgim.
Mirëpo, ndaj tyre u shqiptua dënimi unik për secilin veç e veç nga 9 vite burgim në të cilin dënim do tiu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe 25 mijë euro gjobë.
Kurse, ndaj të akuzuarit Sadik Shala për veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge” u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vite në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe 15 mijë euro gjobë.
I akuzuari Alban Gashi për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale” u dënua me 1 vit burgim ndërsa për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme” në mungesë të provave i njëjti u lirua nga akuza.
Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Labinot Zenelaj, mirëpo, ndaj tij gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë dhe më 10 mars 2021, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale të mashtrimit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Xhemal Shalës, Sadik Shalës, Iskender Sale, Alban Gashi dhe Labinot Zenelaj, për shkak se sipas aktakuzës, të akuzuarit Shala dhe ai Sale, si shtetas turk, duke vepruar si grup kriminal, i shtrirë në territorin e shtetit të Iranit, Shqipërisë dhe Kosovës, kishin blerë dhe poseduar substanca narkotike të llojit heroinë.
Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2018, kishin blerë heroinë nga Iraku, e cila kishte arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.
Siç thuhet në aktakuzë, me qëllim të shmangies nga ndjekja penale, të pandehurit kanë bërë ndërrimin e identiteteve, ashtu që i ndjeri N.C ka siguruar identitetin Lavdim Nimani dhe Lulzim Shala, i akuzuari Sale ka ndërruar identitetin duke u emëruar Mehmet Gjini, kurse i akuzuari Xhemal Shala me identitetin Skender Sheremeti.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sadik Shala më 14 shkurt 2017, ka regjistruar një biznes në emrin e tij me seli në Ferizaj, i cili gjatë vitit 2017-2018 ka eksportuar gjithsej 19 maune me pllaka të mermerit dhe gurë dekorues, ku në eksportin e fundit, ishin eksportuar gjashtë maunë pllaka të mermerit, ku në njërën nga këto maune në 10 paketime të pllakave nga secila prej tyre ka pasur nga dy bunkerë ku ka qenë e vendosur heroina në peshë bruto prej rreth 113 kg, e cila është konfiskuar në banesën e të ndjerit N.C në Prishtinë.
Sipas prokurorisë, tani i ndjeri N.C i cili ka qenë në krye të këtij grupi kriminal e ka bërë porosinë e heroinës, e cila është vendosur në paketimet e pllakave të mermerit, pasi që i njëjti ishte njohës i mirë i gjuhës kurde, ku të njëjtat pllaka me substancën narkotike kanë ardhë në firmën e të akuzuarit Shala, të cilat pagesa deri në Shqipëri i ka kryer i ndjeri N.C, ndërsa nga Shqipëria në Kosovë pagesat i ka kryer Sadik Shala në emër të biznesit të tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Xhemal Shala më 12 korrik 2018, sipas marrëveshjes gojore me të ndjerin N.C dhe të akuzuarin Sadik, e kishte marrë me qira oborrin e depos ku ishte i vendosur biznesi i të akuzuarit Sadik, të cilin e kishin shfrytëzuar për t’i vendosur pllakat e mermerit dhe gurët dekorues të eksportuar në Kosovë, me qëllim të shitjes së heroinës. I akuzuari Shala kishte marrë një banesë me qira në Fushë Kosovë, ku gjatë kontrollit të saj i janë gjetur një qese me substancë narkotike – heroinë, pesë valixhe të zbrazëta me mbetje të pluhurit të heroinës, si dhe shirita ngjitës dhe dorëza të gomës të cilat janë shfrytëzuar për përpunimin edhe paketimin e substancës narkotike.
Në aktin akuzues thuhet se më 13 tetor 2018, i ndjeri N.C së bashku me tre të akuzuarit kanë shkuar në Ferizaj në depon e të akuzuarit Sadik, ku e kanë nxjerrë heroinën në peshë bruto prej rreth 113 kg nga gjashtë maunet e pllakave, të cilën të nesërmen e kanë vendosur në bagazh të veturës dhe e kanë sjellë në banesën e të ndjerit në Prishtinë, ku më 2 dhjetor 2018 është sekuestruar.
Me këto veprime, tre të akuzuarit kanë kryer veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga nenin 283, par.1 të KPRK-së lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 281, paragrafi 1 pika 1.9 të KPRK-së.
Sipas aktit akuzues, Xhemal Shala dhe Iskender, me të kuptuar se më 19 tetor 2018 në Shqipëri janë publikuar emrat e tyre si persona të dyshuar se fshihen pas rastit të laboratorit të drogës në Has të Shqipërisë, me qëllim që t’i shmangen arrestimit kanë paraqitur fakte të rreme në Qendrën e Regjistrimit në Prishtinë dhe në Obiliq, me ç’rast kanë paraqitur ekstraktin e lindjes me të dhënat e personit Mehmet Gjini dhe të dhënat e personit Skender Sheremeti, ku me ndihmën e tani të ndjerit N.C i cili i ka vënë në kontakt me të akuzuarin Alban Gashi, nga ai kanë siguruar këto ekstrakte të lindjes.
Gjithnjë sipas aktakuzës, këta të akuzuar së bashku me të akuzuarin Gashi, janë takuar edhe me një person deri më tani të panjohur, i cili i ka shoqëruar në këto dy qendra të regjistrimit, ku duke i paraqitë faktet e rreme i kanë vu në lajthim zyrtarët në qendrat e regjistrimit dhe kanë arritur t’i sigurojnë dokumentet me identitetet të reja.
Me këto veprime, secili nga tre të akuzuarit veç e veç kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403, par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi në periudhën kohore tetor – nëntor 2018, me dashje iu ka ndihmuar të akuzuarve Xhemal dhe Iskender dhe të ndjerin N.C, në shmangien e zbulimit dhe mosarrestimin e tyre nga organet e ndjekjes së Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe me qëllim të përfitimit pasuror u ka ndihmuar në nxjerrjen e dokumenteve zyrtare në mënyrë të kundërligjshme, duke i marrë të ndjerit N.C nga 5 mijë euro për secilin dokument.