BE “e shqetësuar” për forcimin e bashkëpunimit Serbi-Rusi

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për forcimin e raporteve midis Serbisë dhe Rusisë, pasi këto dy shtete nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në sferën e politikës së jashtme.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara [të Ukrainës] po organizon referendume ilegale”.

“Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, me të cilën pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, atëherë kjo është shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë nuk mund të jenë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht”, tha Stano.

Sipas tij, Serbia ka deklaruar se qëllim strategjik ka integrimin në bllokun evropian. Andaj, sipas Stanos, edhe “ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përafrimin me BE-në në çështje të politikës së jashtme”.

“BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me të gjitha vendet anëtare dhe partnerët, përfshirë edhe vendin kandidat, Serbinë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm në Ukrainë”, tha Stano.

Stano ftoi udhëheqjen në Serbi që të sigurojë, si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, “një koherencë më të fuqishme mes nismave të saj në politikën e jashtme dhe mbështetjen për vlerat ndërkombëtare dhe pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Serbia është kritikuar për afrimin e saj me Federatën Ruse edhe nga deputetët e tjerë të Parlamentit Evropian.

Në mesin e tyre edhe Vladimir Bilçik, raportues për Serbinë në PE dhe Viola von Cramon, raportuese për Kosovën. Kjo e fundit madje ka përmendur edhe mundësinë e pezullimit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Bilçik shkroi në Twitter se lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes e sheh si një goditje të madhe për procesin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, von Cramon tha se “anëtarësimi në BE nuk kalon përmes Moskës”.

Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar midis Serbisë dhe Rusisë?
Më 23 shtator, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, nënshkruan Planin e Konsultimeve të dy ministreve për dy vjetët e ardhshme.

Sellakoviq është në krye të diplomacisë serbe, në Qeverinë teknike, teksa Serbia pritet të formojë një Qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e prillit.

Dokumenti u nënshkrua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

I pyetur nga gazetarët se çfarë përfshin plani dhe çfarë mesazhi i dërgon BE-së, Sellakoviq tha më 25 shtator se “ata që nuk e kanë parë dokumentin, po e sulmojnë të njëjtin”.

“Gjithçka që ka të bëjë me kritikat dhe çështjet lidhur me këtë plan, janë kërkim i arsyeve për të sulmuar Serbinë dhe për ta qortuar”, tha ai.

Sellakoviq deklaroi se Plani i Konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është nënshkruar që nga viti 1996, çdo dy vjet”, duke theksuar se bëhet fjalë për “çështje teknike siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”.

Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia dhe Rusia kanë nëshkruar që nga 24 shkurti, kur nisi pushtimi rus në Ukrainë.

Për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, Rusia është subjekt i sanksioneve nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.

Serbia ka votuar disa rezoluta të OKB-së që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. Megjithatë, Beogradi, edhe pse është kandidat për anëtarësim në BE, refuzon të harmonizojë politikën e tij me atë të bllokut dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.