Vendi në zgjedhje të reja?!- Flet deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje!

Partitë opozitare në vend ka kohë që kanë filluar takimet me qytetarë.

Krahas punës në Kuvend, LDK dhe AAK thonë se ky cikël diskutimesh po zhvillohet për të parë nga afër hallet dhe brengat e tyre.

Në këto takime, ata thonë se është vlerësuar se gjendja socio-ekonomike dhe politike në vend po përkeqësohet çdo ditë e më shumë nga inflacioni rekord, shtrenjtimi enorm i produkteve esenciale, grevat e sindikatave dhe ndërprerja e mësimit, mungesa e investimeve kapitale.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, konsiderojnë se zgjedhje s’do të ketë para 2025-ës.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se zgjedhjet nacionale do të mbahen siç janë të përcaktuar me ligj.

“Zgjedhje nacionale do të kemi kur ato janë të caktuara. Ne kemi pasur zgjedhje në vitin 2021 dhe do të kemi zgjedhje nacionale të rregullta në vitin 2025, ndërsa për çështje programore të Lëvizjes Vetëvendosje, jam i sigurt se tashmë janë bërë publike disa herë që fokusi do të jetë në ngritjen e kapaciteteve të pushtetit lokal, që ka qenë një premtim dhe zotim i VV-së edhe më herët, prandaj nuk besoj se ka thënë diçka që ka qenë jashtë kontekstit të deklarimeve të tij të deritashme”, u shpreh Kusari-Lila.

 

 

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, thotë se me këto takime nuk nënkupton se vendi është afër zgjedhjeve.

Ai thotë se edhe po të duan ta rrëzonin, kjo parti kërkon që populli ta sheh sesi qeverisë VV-ja. Ai këtë qeverisje e konsideron si më të paaftë që ka pasur Kosova në vitet e pasluftës.

“Mënyra se si po Qeverisë, mënyra se si po hap betejë me të gjitha grupet shoqërore në Kosovë kam përshtypjen se edhe po të mos duam ne ta rrëzojmë sepse po dëshirojmë që populli ta sheh të vërtetën se si Vetëvendosje qeverisë me vendin, mënyra si po qeverisë kam përshtypjen se ky po e përgatit vendin për ta rrëzuar veten. Unë nuk e shoh të denjë për të pasur jetë të gjatë në udhëheqje të vendit. As nuk mundet, as nuk dinë, dhe as nuk donë. Edhe kur donë ai prapë nuk dinë. Kemi qeverinë më të paaftë që ka pasur Kosova në 20 vjetët e fundit”, u shpreh Selmanaj.

E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, thotë se këto takime nuk janë për fushatë por për t’i dëgjuar hallet e tyre.

 

 

Lekaj për Ekonomia Online thotë se nga këto takime kanë vërejtur pakënaqësi të madhe ndaj Qeverisë Kurti.

“Po sa i përket vizitave në terren me qytetarët është obligim që deputetët dhe subjektet politike që të komunikojnë drejtpërdrejtë me qytetarët dhe të bëjnë një interaktiv ndërmjet politikës dhe qytetarëve, dhe nga takimi që kemi pasur deri më tani, kemi kuptuar që shumë kërkesa të qytetarëve dhe programi qeverisës i Kurtit nuk është implementuar. Prandaj si subjekt politik ne kemi filluar që sa kohë, sidomos zotri Haradinaj është në komunikim me qytetarët por edhe grupi parlamentar jemi në terren që të komunikojmë drejtpërdrejt me qytetarë”, u shpreh Lekaj.

“Ajo që kemi vërejtur tek qytetarët se janë shumë të pakënaqur me Qeverinë, me shpërndarjen e pakos sociale dhe janë pothuajse tepër të egërsuar sepse po kalojnë ditët më të vështira me ngritjen e produkteve bazë”, tha tutje Lekaj.