Java e tretë e shtatorit në Kosovë po përmbyllet me qindra mijëra nxënës jashtë shkollave, me sindikalistë të arsimit që nuk heqin dorë nga greva dhe me Qeverinë e vendit që kërkon fillimin e mësimeve.
Derisa dy palët e fundit duken të betonuara në qëndrime, lind pyetja se cila prej tyre duhet të lëshojë pe?
“Sindikata”, thotë Naser Zeneli, vajza e të cilit do të duhej të ndiqte klasën e tretë në Shkollën Fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë. “Arsimtarët i kanë pagat e mira”, thotë ai.
Sipas Shqipe dhe Shpëtim Krasniqit – prindër të dy fëmijëve në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë – është Qeveria ajo që duhet të zmbrapset dhe t’i mbështesë kërkesat e sindikalistëve.
“Fëmijët po humbin shumë… Qeveria duhet të gjejë zgjidhje”, thotë Shqipja.
Mësimi në Kosovë rëndom nis më 1 shtator. Por, mësimdhënësit e institucioneve publike janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga. Grevën e kanë thyer vetëm disa shkolla dhe mësimdhënës që në mënyrë individuale kanë nisur t’i mbajnë orët.
Qeveria e Kosovës thotë se Ligji për pagat, që parasheh rritjen e tyre, do të dalë në miratim së shpejti. Para disa javësh, ajo ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik përfitojnë nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj.
Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) nuk e ka pranuar këtë “ofertë”, siç e ka cilësuar vetë ajo.
Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit në Kosovë, thotë se Qeveria duhet të urdhërojë që çdo mësimdhënës të dalë në vendin e punës dhe të mbajë mësim me nxënësit.
“Shteti kërkon seriozitet. Këtu nevojitet vetëm një urdhër… Të gjithë ata që nuk mbajnë nesër mësim, do të dalin para ligjit. Pikë. Sepse, këtu është dëmtuar interesi publik”, thotë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.
“SBASHK-u duhet të lëshojë pe. Përgjegjësia është e sindikatës, konkretisht e kryetarit të saj, Rrahman Jasharaj. Qeveria i ka ndarë 50 euro, ai kërkon 80 euro”, thotë Hyseni, duke komentuar një “ofertë” të mëvonshme të grevistëve për 80 euro shtesë, në vend të 100.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se nuk ndihet fajtor, pasi, siç shprehet, ai është “zë i mësimdhënëseve”.
Fajtore për mbylljen e shkollave, sipas Jasharajt, është Qeveria e Kosovës, sepse “nuk reflekton karshi kërkesave të sindikalistëve”.
Deri në reflektimin e Qeverisë, thotë ai, nuk ka ndonjë datë të mundshme për fillimin e mësimit.
“Zgjidhje ka… Ne nuk po kërkojmë miliarda”, thotë Jasharaj.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se a kanë buxhet për t’i plotësuar kërkesat e mësimdhënëseve dhe a kanë të drejtë t’i urdhërojnë mësimdhënësit të fillojnë procesin mësimor