Që nga dita e premte, Korporata Energjetike e Kosovës, ka njoftuar për ndaljen 4 deri 5 ditore të njësisë A-3. Kjo sipas tyre po bëhet shkaku i disa problemeve teknike, ani pse ndalja e këtij blloku nuk do të ndikojë ndonjë gjë në reduktime.
Zëdhënësi i Korporatës Energjetike, Skënder Bucolli tha për gazetën se situata është e njëjtë siç është raportuar më herët, pa ndryshime.
“Ndalja e njësisë A-3 është 4,5 ditore ashtu siç kemi njoftu, do të thotë nuk është lëshuar ende. Por kjo nuk shkakton reduktime. KEK ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara, kështu që nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike”, tha Skënder Bucolli për gazetën.
E ngjashëm thonë edhe nga KEDS-i, për gazetën. Viktor Buzhala thotë se ky punim, nuk po shkakton reduktime.
“Aktualisht nuk ka ndërprerje”, tha zëdhënësi i KEDS-it.
Disa nga komunat pa rrymë deri në 5 orë, KEDS: Shkak punimet e domosdoshme
Në Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë e Gjilan, gjatë ditës së sotme banorët kanë mbetur pa rrymë deri në 5 orë.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala thotë se kjo nuk lidhet me mospunimin e njësisë A-3, por me punimet e domosdoshme.
“Këto vendet ku janë njoftuar se nuk do të kenë rrymë, arsyeja është punimet e domosdoshme të cilat po bëhen në rrjet”, shtoi Buzhala për Nacionalen.
Qytetarët e komunës së Gjilanit, të cilët kanë mbetur pa rrymë nga ora 10:00 e deri në 15:00, shpresojnë që kjo gjë të mos zgjatë shumë ditë, pasi të njejtit frikësohen se pas afrimit të stinës së dimrit, do të thellohet problemi me energji.