AVONET-i denoncon kompaninë që ka përfituar tender kundërligjshëm në vlerë mbi gjysmë milioni euro

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka monitoruar dhe hulumtuar aktivitetin e prokurimit në Komunën e Prishtinës.

Konkretisht, AVONET-i ka hulumtuar aktivitetin me titull: “Ndërtimi i rrugës ‘Nekibe Kelmendi’”, ku gjatë hulumtimit në dosjen e ofertës së OE “Gërlica – Company” SHPK ka përfituar tenderin me vlerë prej 526.736.83 eurove nga Komuna e Prishtinës.

Sipas AVONET-it, “Gërlica – Company” SHPK ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme tenderin me çmim prej 526.736,83 eurove, duke mos prezantuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, të datës 02.08.2021, me të cilën është shpallur fajtor pronari i OE “Gërlica – Company” SHPK z. Mifail Vogliqi: në cilësi të pronarit të operatorit ekonomik “Gërlica Company” – SHPK me seli në fshatin Babush, të komunës së Ferizajt, me vetëdije të plotë ka shkelur rregullat e Ligjit për Prokurim Publik, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe ndikimit tek autoriteti kontraktues, në atë mënyrë që ka paraqitur dokumentacion të rremë, e që me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe është dënuar.

“Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka lidhur një kontratë publike për punë në ekzekutimin e punëve në projektin: ‘Ndërtimi i rrugës ‘Nekibe Kelmendi’’, me vlerë prej 526.736,83 eurove me OE “Gërlica – Company” SHPK, përfaqësuar nga Mifail Vogliqi, më datën 23.08.2022, është nënshkruar nga autorizuar i përfaqësuesit të OE z. Albion Vogliqi. Në këtë rast AVONET konsideron se OE ‘Gërlica – Company’ SHPK nuk ka pasur drejtë të ofertojë, sepse drejtuesi dhe pronari i OE ‘Gërlica – Company’ SHPK është i dënuar dhe kjo është e sanksionuar me Ligjin mbi Prokurimin Publik në Kosovë, me nr. 04/L-042, Nenin 65, paragrafi 3: Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara”, thotë AVONET-i.

Po ashtu, sipas AVONET-it, Albion Vogliqi si autorizues i OE “Gërlica – Company” SHPK ka bërë shkelje duke nënshkruar deklaratën nën betim që është e sanksionuar me ligjin, keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe deklarimi i rremë nën betim

“Andaj OE ‘Gërlica – Company’ SHPK dhe përfaqësuesi (autorizuesi z. Albion Vogliqi) i saj ka bërë vepër penale, duke keqpërdorim dhe mashtruar, e vë nën lajthitje Autoritetin Kontraktues, në këtë rast Komunën e Prishtinës dhe ka bërë deklarim të rremë nën betim”, AVONET-i ka iniciuar kërkesë për hetim ndaj OE “Gërlica – Company” SHPK dhe përfaqësuesit të tij dhe ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit dhe nga Komuna e Prishtinës që të merren masat e duhura në harmoni me ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e AVONET-it.