SHBA-ja ndihmon ushtarakisht vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbinë

Nga rreth një miliard dollarë ndihmë ushtarake që Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëroi për 17 vende evropiane, 23 milionë do të shkojnë në Mal të Zi për forcimin e sektorit të mbrojtjes.

Nuk dihet ende se sa para do të marrin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat, përveç Serbisë, janë po ashtu në listë.

Ministria e Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se kjo ndihmë, e cila i ndahet edhe Ukrainës, tregon përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara “për të ardhmen e Ukrainës si një shtet demokratik, sovran dhe i pavarur, si dhe për sigurinë e aleatëve dhe të partnerëve në të gjithë rajonin”.

Sa ndihmë marrin Ukraina dhe të tjerët?

Prej se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, mori mandatin në janar të vitit 2021, SHBA-ja ndau rreth 15.2 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën – sidomos nga fundi i shkurtit, kur Rusia nisi pushtimin e këtij vendi.

Më 8 shtator, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, prezantoi një ndihmë të re prej 2.2 miliardë dollarësh, por përveç Ukrainës, ajo do t’u ndahet edhe 17 vendeve të tjera.

Ukraina, përmes këtij programi, i njohur si “Foreign Military Financing”, do të marrë një miliard dollarë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet midis vendeve të tjera.

“[Ato do të] përfshijnë shumë nga aleatët tanë të NATO-s, si dhe partnerë të tjerë rajonalë të sigurisë, që janë në rrezik potencial nga agresioni i ardhshëm rus”, tha Blinken nëpërmjet një deklarate.

Reuters, më vonë, transmetoi deklaratën e një zyrtari të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili tha se pjesa tjetër e parave do të ndahej midis Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

E njëjta gjë u konfirmua një ditë më vonë në Twitter nga misioni amerikan në NATO.

“Ndihmë e mirëseardhur”

Gjëja e parë që duhet kuptuar, thotë Bruno Lete nga Fondi Gjerman Marshall, me seli në Bruksel, është se në Ballkanin Perëndimor ka tensione të shtuara dhe kërcënime për dhunë. Në sytë e Shteteve të Bashkuara, thotë ai, “shumë nga rreziqet e sigurisë lidhen me Rusinë”.

“Ekziston bindja se presidenti [rus Vladimir] Putin dhe Kremlini po luajnë një rol në rajon, që është i dëmshëm për sigurinë. Unë mendoj se ekziston një dëshirë në Shtetet e Bashkuara, dhe gjithashtu në kontekstin e NATO-s, për t’i rritur përpjekjet në rajon”, thotë Lete.

Sipas tij, kur bëhet fjalë për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, “së pari duhet të shikohet Kosova dhe Serbia”, ku, siç thotë, “shohim tensione, pavarësisht një sinjali të vogël pozitiv” në lidhje me dokumentet.

Dy vendet i kanë hequr dokumentet e posaçme për hyrje/dalje nga fundi i muajit të kaluar.

“Por, është e qartë se Rusia po simulon tensione mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Lete.

Ai shton se operacionet e ndikimit rus janë shumë aktive edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku, siç shprehet, “po përpiqen t’i ndezin tensionet politike”.

Lete thotë se lufta në Ukrainë ka ngjallur “kujtime shumë të dhimbshme të së kaluarës” në Ballkanin Perëndimor dhe se përfshirja e Shteteve të Bashkuara në shumicën e vendeve të këtij rajoni “është e mirëpritur”.

Siç thanë nga Departamenti amerikan i Shtetit për Radion Evropa e Lirë, më shumë se dy miliardë dollarë fonde ushtarake “do t’i ndihmojnë në mënyrë specifike vendet e prekura nga situata në Ukrainë, përfshirë vendet në krahun lindor dhe partnerët dhe aleatët tjerë rajonalë, që i kanë ofruar ndihmë për sigurinë Ukrainës, gjatë konfliktit të saj të vazhdueshëm me Rusinë”.