Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka thënë se javën e ardhshme Qeveria që udhëheq ai shënon 1 vit e gjysmë të qeverisjes, duke numëruar sukseset e ekzekutivit.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Kurti ka thënë se “vetëm në 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje”.
“Në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës. Këtë javë ka rifilluar punën Kuvendi. Nesër do ta kemi seancën e parë të sesionit vjeshtor dhe urojmë që ky sesion të jetë edhe më i suksesshëm. Shifrat rekorde korrespodojnë me vullnetin e kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit”.
Më tej Kurti ka thënë se “përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe të korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Gjithashtu, kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit përmes projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike e atij për Qeverinë. Për të siguruar efikasitet në trajtimin e kontesteve komerciale kemi themeluar Gjykatën Komerciale, kurse sot do të trajtojmë projektligjin për Prokurorinë Speciale e atë për Prokurorin e Shtetit”.
“Përveç vettingut si reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë, të cilën ia kemi besuar përfaqësuesve të popullit, vazhdojmë me trajtimin e temës nga e cila varet stabiliteti e kohezioni social. Spektri i konfliktit të dhunshëm, luftës e i gjenocidit, ende shtrihet nëpër Evropë, duke bërë kështu iluzor zbatimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu tha se “funksionimi jo adekuat i institucioneve përgjegjëse apo mungesa e tyre, shpie te pamundësia e rindërtimit të paqes. Historia na mëson që zgjidhjet afatgjate janë të paarritshme atëherë kur nuk bazohen në parimet e drejtësisë, reparacioneve, të vërtetës dhe të garantimit për mos përsëritje”.
‘Është detyrë e Qeverisë që, mbi të vërtetën, të ndërtojë mekanizma dhe institucione për ballafaqimin me të kaluarën dhe krijimin e kujtesës kolektive e cila do të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe gjeneratave të ardhshme”.
Duke folur për projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Kurti tha se “dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë janë thelb i këtij projektligji”.
“Në të gjitha deklarimet e mia që kam pasur lidhur me këtë temë, kam potencuar që krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara duhen adresuar. Sepse, ato janë parakusht për paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë e zhvillim të mëtutjeshëm të shoqërisë. Një shoqëri që nuk harron sepse e institucionalizon kujtesën dhe që mbi supet e përgjegjësisë institucionale gjen drejtësinë, si parakusht për pajtimin dhe jetesën e dinjitetshme e të përbashkët”.
“Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë do të themelohet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës, do të jenë në fokus të veprimit të Zyrës së Kryeministrit. Vetëm me respektimin e duhur të së kaluarës mund të kemi një të ardhme të ndritur”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.