Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka bërë me dije se greva në arsim do të vazhdojë, meqë Qeveria s’po ua plotëson kërkesat.
Por ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se MAShTI është për dialog dhe që Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme si kjo që po i lë 320 mijë nxënës jashtë bankave shkollore.
Me thirrjen e MAShTI-t që nga e hëna të gjithë mësimdhënësit të kthehen nëpër shkolla dhe të fillojë procesi mësimor, u përmbyll takimi i djeshëm mes MASHTI-t dhe SBAShK-ut.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i informoi përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me masat e fundit të Qeverisë për pakon prej 150 milionë eurosh, ku përfshihen edhe mësimdhënësit, si dhe veprimet që i ka ndërmarrë MAShTI sa i përket përmirësimit të kushteve të mësimdhënësve.
Ministrja Nagavci tha se MAShTI është për dialog dhe që Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme si kjo që po i lë 320 mijë nxënës jashtë bankave shkollore.
Po ashtu dje, për këtë temë u mbajt edhe mbledhja e Këshillit Ekonomiko-Social ku morën pjesë ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.