Letra e kancelarit gjerman dhe presidentit francez për Kurtin dhe Vuçiqin, patrullimet e Policisë në Ujman

Javën që po lëmë pas tema e dialogut Kosovë-Serbi ishte në qendër të aktiviteteve, pasi kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron u kanë dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Madje, Scholz dhe Macron kanë ngarkuar edhe dy këshilltarët e tyre me çështjen e dialogut, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune.

Po javën që po lëmë pas Policia e Kosovës ka filluar me patrullimin ujor në Liqenin e Ujmanit dhe këtë e njoftoi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq, të mërkurën për vizitë në Kosovë, ishte presidenti slloven, Borut Pahor i cili duke komentuar deklaratën e Vuçiqit se Sllovenia sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë tha se është tendencioze dhe e papranueshme.Reklama

Letra e Scholzit dhe Macronit për Kurtin dhe Vuçiqin

Muajt në vijim pritet të jenë të rëndësishëm për dialogun Kosovë-Serbi, pasi sërish është kthyer në agjendë të shteteve mike dhe janë intensifikuar takimet e akterëve të përfshirë në të.

E përparim në dialog kanë kërkuar BE-ja, ShBA-ja, Britania e Madhe e së fundi edhe dy udhëheqësit kryesor të Evropës, kancelari gjerman Olaf Scholz e presidenti francez Emmanuel Macron, raporton Telegrafi.

Dy liderët e dy shteteve më të fuqishme evropiane kanë kërkuar lëvizje para dhe përgjegjësi të liderëve në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian përmes një letre drejtuar Kurtit dhe Vuçiqit.

Çfarë kërkuan Scholz dhe Macron nga Kurti dhe Vuçiqi?

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz thanë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.Reklama

Ata thanë se kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

E gjithë kjo u bë e ditur përmes letrave që Macron dhe Scholz i dërguan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Macron dhe Scholz i kanë bërë thirrje Kurtit dhe Vuçiqit që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet mes dy vendeve.

“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale. Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën drejtuar Kurtit.Reklama

Të njëjtën gjë ia kanë thënë edhe presidentit serb, Vuçiq.

Tensionet e fundit kanë treguar se hapa konstruktivë përpara nevojiten urgjentisht, si në nivel praktik ashtu edhe në atë politik, është shtuar në letër.

“Prandaj, ne caktuam këshilltarët tanë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Beaune, që t’i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë Miroslav Lajçakut në përpjekjet e tij. Ne sugjerojmë që këshilltarët tanë, së bashku me Miroslav Lajçak, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të shqyrtojnë mundësitë për ta çuar procesin përpara shpejt”, është thënë ndër tjerash në letrën drejtuar Vuçiqit.

Për herë të parë nga paslufta, Policia e Kosovës filloi patrullimin ujor në kufi me Serbinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi të enjten se Policia e Kosovës ka filluar sot patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit.Reklama

Në një postim në Facebook, Sveçla shkoi se kjo po ndodh për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor.

“Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për suksesin e radhës!”, kishte shkruar ministri.