LDK ‘kopjon’ AAK’në, fillon bashkëbisedimet me qytetarë

Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, me një postim në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se se partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të dalë në teren për të bashkëbiseduar me qytetarë dhe subjekte të ndryshme ekonomike, këtë praktikë ditë më parë e pati filluar partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Hoti tha se vjeshta ata do ti gjejë në qytete dhe fshatra ku do të bisedojnë për sfidat në të cilat po kalon vendi nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.

Ai shkroi se janë të hapur për vlerësime, kritika dhe propozime

“Në javët në vijim, Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë në qytete e fshatra për të biseduar me qytetarë dhe me biznese. Do të dëgjojmë secilin.Do të bisedojmë për sfidat nëpër të cilat po kalojmë në vitin e dytë të qeverisjes së majtë dhe për qasjen tonë në adresimin e këtyre sfidave. Ju presim për të dëgjuar vlerësimet, kritikat dhe propozimet e juaja”, shkroi Hoti.

Kujtojmë se një praktikë të tillë, e ka filluar tani më partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, njëherit ish-kryeministër, njoftoi se personalisht do të dalë nëpër vende të ndryshme dhe do të takoj qytetarë me të cilët do të bisedojë për sfidat të cilat po kalon vendi.

“Kohërat e ndjeshme për Kosovën dhe qytetarët e saj, kërkojnë sinqeritet e bashkëbisedim mes nesh. Krijimi i hendekut të madh qeveri-qytetar, krizat në çdo pore të shoqërise, kanë sjellur qytetarin e Kosovës në ditë jo të mira për të dhe institucionet e Kosovës në prag të kollapsit. Do fillojmë sot me një cikël bisedimesh me qytetarët tanë. Nisim në Prizren, për të vazhduar ditëve tjera në qendra të tjera. Jeni të mirëseardhur të flasim hapur, të ndajmë brengat tona, të kërkojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, ka shkruar Haradinaj.