Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, po thotë se marrëveshja për lëvizjen e lirë Kosovë-Serbi është mbajtur e fshehtë dhe se opinioni i është paraqitur vetëm një pjesë e saj.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se dakordimi Kurti-Vuçiq për këtë çështje është në dëm të Kosovës.
Për faktin se sipas tij, me këtë marrëveshje bëhet legalizimit të dokumenteve që i lëshojnë strukturat paralele të Serbisë për qytetarët që jetojnë në Kosovë.
Prandaj siç thotë ai Kurti me këtë marrëveshje e paraqet Kosovën pjesë të Serbinë. Molliqja thotë se ky është problem i madh ngase po hiqet dorë nga shtetësia dhe se Kurti në vazhdimësi po e qon vendin në krijimin e një entiteti territorial në veri.
Ai pohon se në këso rrethanash çdo marrëveshje i konvenon vetëm Serbisë dhe se nuk po punohet për njohjen reciproke.
“Tash është e qartë që ka dakordim midis Kurtit dhe Vuçiqit për çështjen e lirisë së lëvizjes, ajo që ne e kemi ngritur si shqetësim është që kompromisi ka qenë i fshehur, opinioni i është paraqitur vetëm ajo që është dukur se mund të jetë fitore ndërsa pjesë me e keq e marrëveshjes që është shumë e keqe e legalizimit të dokumenteve që i lëshojnë strukturat paralele të Serbisë për qytetarët që jetojnë në Kosovë”.
“Me këtë marrëveshje të gjithë ata që kanë dokument të lëshuar nga drejtoritë e veçanta të Policisë në komunat paralele mund të kalojnë kufirin. Pra Kosova me këtë marrëveshje që mundëson hyrjen daljen në Kosovë me dokumente që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë. Kjo është problem i madh ngase po hiqet dorë nga shtetësia e në atë tjetër është vazhdën e kompromiseve që Kurti po i bënë e kjo po qon në krijimin e një entiteti territorial në veri”.
“Për fatin e keq korniza e dialogut në themel e ka mosnjohjen se nëse vazhdimisht bënë marrëveshje që ajo nuk të njeh ty pse duhet të njeh në fund. Ngase nëse ka njohjen në fund të gjitha këto marrëveshje janë të pavlefshme. Kështu që Kurti e ka pranuar këtë kornizë të dialogut dhe temat e dialogu që në masë të madhe i interesojnë Serbisë”.