Yje të shumta do të jenë të ftuar në podcastin e Meghan Markle

Podcasti i dukeshës Meghan Markle, “Archetypes”, arriti që në 24 orët e para të lansimit të radhitet në vendin e parë të platformës Spotify, duke e rrëzuar nga pozita kampionin e zakonshëm në Amerikë, “The Joe Rogan Experience”.

Episodi i parë i podcastit të aktores së shndërruar në dukeshë të Sussexit e përfshinte yllin e tenisit, Serena Williams, dhe tashmë është bërë e ditur se në emisionin e radhës, Markle do të shoqërohet për një bisedë intime nga diva e muzikës, Mariah Carey.

Kjo po konsiderohet një listë e fuqishme të ftuarish për lansimin e një podcasti, dhe së fundmi u zbulua që edhe më shumë yje të njohur do të bëhen pjesë e emisionit në javët në vazhdim. Constance Wu, Issa Rae, Lisa Ling, Margaret Cho dhe Ziwe, janë disa nga emrat e zbuluar të listës së mysafirëve të Meghanit.

Dukesha e Sussexit e hijeshon ballinën e muajit shtator të revistës “The Cut”, ku ndër të tjera ka folur edhe për podcastin “Archetypes”, rreth konceptit që qëndron pas emrit të tij dhe se si ai lidhet me shumë karakterizime standarde të grave.

Titulli i episodit me tenisten Serena Williams ishte “Keqkuptimi i ambicieve”.

I prodhuar nga “Archeëell Audio” në bashkëpunim me kompaninë “Gimlet Media”, që është pronë e Spotify, podcasti “Archetypes” vjen pothuajse dy vjet pasi Meghan dhe bashkëshorti i saj, Princi Harry, e nënshkruan një marrëveshje ekskluzive disavjeçare me platformën e famshme.

Një tjetër ndërmarrje mutimediale e çiftit mbretëror është “Archwell Productions”, e cila ka një marrëveshje me Netflixin. Por, në maj të këtij viti u raportua se seriali i animuar i dukeshës, “Pearl”, ishte anuluar nga platforma e famshme digjitale për shkak të kufizimeve buxhetore në kompani.

“Nuk ke çfarë të thuash më shumë kur kompania i ndryshon planet e tyre”, deklaroi Markle rreth anulimit të serialit të saj. “Po ashtu nuk ke çfarë të thuash më shumë kur, edhe pse ata mendojnë se është një projekt i mrekullueshëm, mediat anembanë botës flasin për të sikur të ishte vetëm projekti im”, përfundoi ajo.

Por bashkëpunimi i Meghanit dhe Harryt me Netflixin nuk përfundon këtu. Ata tashmë e kanë filluar punën rreth një serie dokumentarësh, që sipas dukeshës do të fokusohet në dashurinë e tyre.

“Pjesa e jetës sime të cilën nuk kam pasur rastin ta ndajë me publikun, është historia jonë e dashurisë. Shpresoj që kjo do të jetë ndjenja që do të përçohet tek njerëzit, kur t’i shohin projektet për të cilat po punojmë”.

Në numrin e ri të revistës “The Cut”, Meghan Markle po ashtu e dha në intervistë të gjatë ku preku tema të ndryshme dhe mjaft personale.

Ajo tregoi se menjëherë pas lindjes së djalit, Archie, kishte frikë të dilte nga shtëpia. Kështu, në vitin 2019, mezi e kishte marrë guximin ta ndiqte premierën e filmit “Lion King” në vitin 2019, ngase po kalonte nëpër një periudhë të vështirë të jetës. Tutje, dukesha tha se ajo dhe Harry ishin të lumtur të largoheshin nga Britania e Madhe dhe të zhvendoseshin në Amerikë, pasi mendonin se ata po e “prishnin dinamikën e hierarkisë… vetëm duke ekzistuar”.

Kur u pyet gjatë intervistës, nëse falja mund të ekzistojë ndërmjet saj dhe familjes së saj, me të cilët i ka shkëputur të gjitha raportet, Meghan tha: “Mendoj se falja është shumë e rëndësishme. Kërkohet shumë energji për të mos falur. Por, gjithashtu kërkohet shumë përpjekje për ta falë dikë që të ka lënduar”.

Dukesha e Sussexit insiston se ajo nuk ka nënshkruar kurrë ndonjë marrëveshje që e kufizon të flasë për eksperiencat e saj, por thjeshtë ajo ka zgjedhur të mos e bëjë këtë. Të paktën jo deri sa ta marrë veten nga traumat që i ka përjetuar, nga momenti që iu bashkua familjes mbretërore.