Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Grevistë të SBASHK-ut, ka thënë se deri më tani grevistët janë këmbëngulës të shkojnë në grevë dhe se presioni po iu bëhet vetëm nga inspektorët e Arsimit.
Kushaj gjatë konferencës për media tha se disa punë nëpër objektet shkollore janë lejuar nga sindikata, pasi ato punë siç tha ai kanë të bëjnë me përgatitjet për fillimin e procesit mësimor.
“Si Këshill grevistë marrim informata. Deri tani grevistët janë në grevë dhe janë këmbëngulës të shkojnë në grevë. Në takimin që e kemi pasur më 24 gusht me udhëheqësit e asociacionit të komunave, drejtorët e Arsimit kemi lejuar disa punë që kanë qenë para datës që ne të hyjmë në grevë. Punët që i kemi lejuar janë të operatorëve ekonomik që janë në rindërtim shkollash, në përgatitje të objekteve shkollore për fillim të mbarë e të mirë të proceseve mësimore, aty shkojnë punëtorët ndihmës për të hap dyert dhe i kryjenë disa shërbime karshi operatorëve ekonomik. Por kjo mos të përdoret nga Qeveria dhe mediat se në disa shkolla po punohet”, ka thënë ai.
Kushaj tregoi se sot në disa komuna një agjencion u ka kërkuar Këshillit grevistë listat, të cilat lista siç tha ai nuk u janë dhënë.
“Nuk kemi presion deri më tani, presion ka prej inspektorëve arsimor që administrohen nga Qeveria e Kosovës. Sot u ka shku një letër nga një agjencion, në Prishtinë, Skenderaj, Malishevë etj, duke i kërkuar listat nga Këshilli grevistë, dhe atyre ju kemi thënë që s’kanë nevojë për të ju dhënë lista. Kaq kemi informata”, tha Kushaj.