I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë filluar takimin me përfaqësuesit e Listës Serbe në Mitrovicë.
Emisarët u pritën nga kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq dhe nga kryetari i Komunës të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.
Pas kësaj vizite, Escobar e Lajçak do të udhëtojnë në Serbi, ku pritet që edhe atje të kenë takime me udhëheqësit e shtetit.
Escobar e Lajçak të mërkurën janë takuar më presidenten Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti dhe me liderët e partive opozitare.
Vizita e tyre në Kosovë, po bëhet për të gjetur një zgjidhje për targat dhe dokumentet e identifikimit me Serbinë.
Sipas raportimeve, dy emisarët kanë kërkuar që vendosja e reciprocitetit të shtyhet edhe për tre muaj.
Në anën tjetër, Kurti është treguar i prerë duke thënë se nuk ka më shtyerje dhe se vendimi do të fillojë të zbatohet nga data 1 shtator.