Fustanet e nusërisë së Lopezit reflektojnë romancën e përjetshme

Vetëm një muaj pasi, Jennifer Lopez dhe Ben Affleck, u kurorëzuan në Las Vegas, çifti më i përfolur i showbizit e festoi martesën në prani të familjes dhe miqve të ngushtë, në shtëpinë e tyre në Savannah të Georgias.

Ishte disenjatori, Ralph Lauren, ai i cili i dizajnoi tri fustanet e nusërisë së këngëtares, JLo, për ditën e saj të madhe. Kurse, të martën (23 gusht), disenjatori e postoi një video të procesit të realizimit të fustaneve në rrjetet sociale.

“Trashëgimia moderne për një romancë të përjetshme. Me rastin e dasmës së JLos dhe Benit, Ralph Lauren i krijoi tri fustanet e nuses me shumë dashuri, kujdes dhe konsideratë, duke u përkushtuar në çdo detaj të siluetave”, shkruhej në këtë postim.

Ylli i hitit “On the Floor”, Lopez, po ashtu i ndau disa fotografi të fustaneve të nusërisë, të cilat u postuan edhe nga revista prestigjioze e modës, “Vogue”. Këngëtarja 53-vjeçare e falënderoi disenjatorin e famshëm për krijimin e fustaneve të ëndrrave.

Zotëri dhe zonja Affleck e filluan lidhjen romantike në vitin 2002, pas takimit në sheshin e xhirimeve të filmit “Gigli”. Dy vjet më vonë, ata bashkëpunuan sërish në ekran të madh me filmin, “Jersey Girl”, para se të fejoheshin. Por, çifti i dha fund planeve për martesë dhe përfundimisht vendosi të ndahet në vitin 2004. Ata e vazhduan jetën duke u martuar me partnerë të tjerë me të cilët edhe krijuan familje, por dashuria e madhe ndaj njëri-tjetrit vazhdoi të jetojë në brendësi të tyre.

Pothuajse 20 vjet pas ndarjes, Lopez dhe Affleck, vendosën t’i dorëzohen fatit të pashmangshëm. Ribashkimi i tyre u mirëprit nga publiku anembanë botës.