Arrestohet njëri nga të dyshuarit për vrasjen e 22-vjeçarit në Lipjan

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë ka arrestuar njërin nga dy të dyshuarit për vrasjen e një 22-vjeçari në Lipjan.
“Me 23.08.2022 lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ngjarja kishte ndodhur dy javë më parë, ku në orët e vona si pasojë e një konflikti verbal e fizik, dy persona kanë shtënë me anë të zjarrit në drejtim të tre të tjerëve. Njëri nga ta ka vdekur në vend të ngjarjes, teksa dy të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

“VRASJE  E RËNDË & LËNDIM I RËNDË TRUPOR-Rr. L. Prizrenit, Lipjan 05.08.2022-23:40.  Është raportuar se pas një konflikti verbal dhe fizik, dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë qëlluar me armë zjarri tre viktima meshkuj kosovarë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Viktimat janë dërguar në QKUK, ku njëri prej tyre duke mos i përballuar lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor. Njësit relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ku si prova materiale janë sekuestruar, tri gëzhoja, një predhë dhe një fragment metali”, njoftonte policia.