Serbët mblidhen para Policisë dhe gjykatës në Mitrovicë, disa nuk e dinë as arsyen

Punonjës të institucioneve të ndryshme në veri të Mitrovicës kanë nisur të mblidhen në mesditën e së martës para hyrjes së Stacionit të Policisë së Kosovës dhe objektit të gjykatës, ka njoftuar Kossev.

Të grumbulluarit nuk pranuan të flasin, e disa prej tyre, jozyrtarisht thonë se nuk e dinë arsyen e tubimit, por se janë ftuar.

Në zonën e stacionit policor, siç raporton mediumi lokal serbe, ndodhen disa pjesëtarë të Policisë, ndërkohë që është mbyllur porta përmes të cilës hyjnë veturat.

“Për momentin, në mesin e të mbledhurve nuk ka zyrtarë, përveç një këshilltari nga Komuna e Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Një pjesë e rrugës është bllokuar për momentin nga një cisternë, një mjet civil dhe një kamionçinë, por mjetet janë larguar shpejt”, raportoi Kossev.

Në bazë të disa burimeve të Kossevit, arsye e grumbullimit është arrestimi i inspektorit N.R., i cili të hënën mbrëma u denoncua në polici nga aktivisti dhe udhëheqësi i iniciativës qytetare “Srpski opstanak”, Aleksandar Arsenijeviq.