Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pas gati dy vitesh qeverisje, ka shpallur konkurs për sekretar të ministrisë që drejton.
Që nga marrja e mandatit, Rozeta Hajdari ka funksionuar me Ushtrues Detyre të Sekretarit, duke i ndërruar disa me radhë.
Tani me ligjin e ri kjo pozitë është me mandat 4-vjeçar.
Gara për aplikim është e hapur deri më 23 shtator 2022, ndërsa lista e kandidatëve që i plotësojnë kriteret parashihet të publikohet më së largu deri më 3 tetor.
Hajdari që drejton për herë të dytë këtë ministri, edhe në Qeverinë Kurti 1 ka qenë me U.D. të Sekretarit.
Irfan Lipovica kishte mbajtur për shumë kohë pozitën e U.D. Sekretarit, derisa kishte ndodhur një krisje në raportet e tyre.
Pas Lipovicës, Hajdari sërish U.D të Sekretarit e kishte emëruar Arbër Gegajn, përkundër që ky i fundit nuk i plotësonte kriteret për këtë pozitë.
Pas disa muajve, Gegaj e Hajdari i kishin acaruar raportet dhe kjo rezultoi me dorëheqjen e Gegajt.
Pas Gegajt, pozitën e U.D. sekretarit është duke e ushtruar Rexhep Bllaca, i cili mban pozitën e drejtorit të Departamentit Ligjor në MINT.
Po ashtu, kjo ministri është duke funksionuar me shumicën e drejtuesve me U.D. Nga 7 agjenci, të gjithë drejtuesit janë U.D dhe ende nuk ka shpallur konkurse.