Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po kërkon nga qeveria që të hartoj raportin gjithëpërfshirës të gjendjes së zbatimit të marrëveshjeve. Edhe për udhëheqësin e ekzekutivit, Albin Kurti ka pasur kritika për mos-transparencë në lidhje me takimin e fundit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kështu u tha në publikimin e analizës me titull “Dialogu Kosovë-Serbi: Një hap para, tre hapa prapa”, ku u theksua se as marrëveshjet e arritura nuk janë duke u zbatuar.
Menaxherja e projektit, Violeta Haxholli tha se kryeministri Albin Kurti ka pasur vetëm një raportim me vet-iniciativë për çështjet e dialogut.
“Ka pasur vetëm një raportim me vetiniciativë të kryeministrit të Republikës, sa i përket raportit të gjendjes së marrëveshjes dhe kjo ka ndodhur në qershor të vitit kaluar. Ka pasur përgjigje nga ana e kryeministrit gjatë pyetjeve parlamentare, por që duhet të ketë më shumë raportime me vetiniciativë nga ana e përfaqësuesve të qeverisë. Në këtë drejtim ne si KDI konsiderojmë që Qeveria e Kosovës duhet të hartoj sa më parë edhe një raport gjithëpërfshirës të përditësuar të gjendjes së zbatimit të marrëveshjeve. Raporti i fundit i përditësuar është publikuar në qershor të vitit të kaluar”, ka thënë Haxholli në konferencë për media.
Po ashtu, hulumtuesja e lartë në KDI ka theksuar se duhet të ketë edhe një konsensus politik dhe bashkëpunim më të madh ndërpartiak për dialogun. Haxholli ka treguar pse kjo analizë është titulluar “Dialogu Kosovë-Serbi: Një hap para, tre hapa prapa”.
“Duket se edhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi tash e disa kohë po shkon në këtë drejtim edhe pse pamë që në qershor u arrit një dakordim mes Kosovës e Serbisë sa i përket marrëveshjes për energjinë. Pra, udhërrëfyesit të ri për energjinë. Menjëherë kemi parë që faktikisht në terren udhërrëfyesi për energjinë nuk po zbatohet, siç është paraparë me afatet e marrëveshjes. Kosova ka përmbushur obligimin e saj në pikën e parë për të licencuar kompaninë elektroserver, por si duket kjo kompani nuk ka përmbushur obligimet e saj për të dërguar të dhënat konsumatorëve të pjesës veriore në institucionet energjetike të Kosovës”, ka shtuar ajo.
Veç kësaj, Haxholli shtoi se dialogu Kosovë-Serbi po karakterizohet me diskutim të temave, që janë arritur marrëveshje në të kaluarën.
Menaxherja e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës, Violeta Haxholli tha se dialogu Kosovë-Serbi po karakterizohet me diskutim të temave, për të cilat arritur marrëveshje në të kaluarën.
“Deri më tani ka pasur dakordim vetëm për çështjen e energjisë, as kjo marrëveshje nuk është zbatuar në terren. Ndërsa, mbeten edhe shumë çështje të tjera të cilat kanë vështirësi të zbatimit në terren. Shumë marrëveshje të cilat janë arritur në të kaluarën, siç është marrëveshja për IBM nuk zbatohet plotësisht në terren, marrëveshja e diplomave. Ka një sërë marrëveshjesh të cilat kanë probleme dhe se palët do të duhej të diskutonin në dialog, ndërsa çështja më urgjente që ne si Institut Demokratik i Kosovës e konsiderojmë është që palët t’iu rikthehen diskutimeve për elementet e marrëveshjes finale”, ka shtuar ajo.
Më tej, ajo ka theksuar se duhet të ketë dialog të brendshëm me serbët në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës duhet ta shtyjë përpara idenë e kahmotshme për të realizuar një dialog të brendshëm me komunitetin serb, sidomos po shihet tani edhe më e nevojshme që për vendimet e fundit të qeverisë që prekin këtë komunitet, të ketë më shumë komunikim dhe më shumë informim nga ana e Qeverisë së Kosovës. Pastaj ky vakumi që po ekziston mes këtij komuniteti dhe shtetit të Kosovës po mbushet me informacione të pasakta nga pala serbe dhe po rritet ndikimi i Serbisë tek ky komunitet”, ka përfunduar ajo.
Ajo shtoi se për vendimin e fundit për targat duhet të ketë kampanja sensibilizimi dhe shpërndarjen e tyre dhe bashkëpunimin me komunat për informim të saktë.