Jasharaj-Nagavcit: Greva s’është kërcënim, do të vazhdojnë deri sa Qeveria të këndellet

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se greva e përgjithshme në arsim do të fillojë me 25 gusht siç edhe ishte paralajmëruar.

Duke iu përgjigjur deklarimeve të ministres së Arsimit Arbërie Nagavci se, mësimi nuk mund të ndërpritet sa herë që dikush dëshiron, ai thotë se greva nuk është kërcënim.

Madje ai ka paralajmëruar se ajo do të vazhdojë deri sa Qeveria të këndellet sipas tij, e të bëjë realizimin e kërkesave të tyre.

“Nuk është kërcënim. Ne gjithmonë kemi paralajmëruar dhe është e drejtë edhe me Ligjin për greva. Pas një rrugëtimi kaq të gjatë kur qeveria nuk pranon dialog dhe nuk pranon të merret me kërkesa tona nuk kemi pasur zgjidhje tjetër për veç ta dëgjojmë zërin e anëtarësisë”.

“Përveç organeve të SBAShK dhe BSPK po shpallim grevë e cila fatkeqësisht po fillon me 25 gusht dhe do të vazhdojë derisa Qeveria nuk i plotëson kërkesat tona. Fatkeqësisht grevat janë ato që nuk i duam përvojat në të kaluarën ka treguar që SBAShK di të jetë unik. Është kërkesë e anëtarësisë dhe do të jemi në grevë”.

“Me 25 nuk ka mësim, por mësimdhënësit do ta bëjnë grevën në shkolla, çerdhet do të kenë në grevë, administrata e fakt do të jenë në grevë. Greva do të zgjasë derisa Qeveria të këndellet dhe të ketë qasje të drektë ndaj kërkesave tona dhe t’i realizojë ato”.

Përderisa ministrja e Arsmit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se MAShTI në koordinim me komunat i kanë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Nagavci tha se paralajmërimet e SBAShK-ut për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim.