Pse Qeveria Kurti nuk po e tregon vlerën monetare të koeficientëve në Ligjin e Pagave?

Qeveria e Kosovës po vazhdon të mos tregojë sa mendohet të jetë vlera momentare e një koeficienti, me të cilin do të mund të llogaritej paga e një qytetari që paguhet nga buxheti i Kosovës.

Në njërën anë, zyrtarët e Qeverisë theksojnë se Ligji i ri për Pagat, i cili është proceduar në Qeveri gjatë kësaj jave që po e lëmë pas, do të trajtojë dinjitetshëm të gjithë të punësuarit në sektorin publik, por në anën tjetër po e mbajnë të fshehtë pikërisht vlerën monetare të një koeficienti, nëpërmjet të cilit do të dihej nëse projektligji i trajton vërtet dinjitetshëm.

Me publikimin e vlerës monetare të koeficietit do të dihej nëse janë përmbushur kërkesat e sindikatave të ndryshme, të cilat kanë shprehur pakënaqësi me projektligjet e kaluara, pikërisht për shkak të pozicionimit jo të kënaqshëm të kategorive të ndryshme, veçanërisht të mantelbardhëve dhe punonjësve të arsimit.

Në nenin 9 të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik, i cili është proceduar për konsultime, theksohet se “vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”.

Raportimet në medie para disa muajve për vlerën monetare të koeficientit, në shumën 120, është mohuar nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, duke i qujtur raportimet e medieve si tendencioze dhe të pavërteta. Sipas zyrtarëve qeveritarë, kjo vlerë do të përcaktohet me ligjin për buxhetin e Kosovës.

Mosbërja publike se mbi bazën e çfarë vlere monetare janë llogaritur koeficientët e të punësuarëve në sektorin publik krijon konfuzion, sepse nëse Ligji për Pagat do të miratohej para Ligjit për Buxhetin, i cili miratohet për çdo vit, atëherë askush nuk do ta dinte sa do të jetë paga e tij në vitin pasues, sepse do të duhej të pritej miratimi i Ligjit për Buxhetin.