Pozita e kryeprokurorit të shtetit tash e disa muaj ka mbetur me ushtrues detyre. Kjo pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ende nuk ka vendosur nëse do ta dekretojë apo jo kandidatin, Blerim Isufaj për kryeprokuror, përkundër se që nga muaji prill në tavolinën e Zyrës së Presidencës është emri i tij.
Sipas një përgjigje me shkrim nga këshilltari për medie i presidentes, Bekim Kupina, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk do të veprojë deri pas përfundimit të procedurave gjyqësore lidhur me këtë proces.
Kupina tha se e para e shtetit është njoftuar zyrtarisht se çështja është duke u trajtuar në gjykata të rregullta.
“Presidentja është njoftuar zyrtarisht se çështja është duke u trajtuar në gjykata të rregullta. Për t’i respektuar instancat gjyqësore, derisa të përfundojnë këto procedura, presidentja nuk do të veprojë. Pas përfundimit të procedurave gjyqësore, presidentja në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese do t’i ndërmarrë veprimet e duhura”, thuhej në përgjigjen me shkrim nga Kupina.
Kjo pasi tashmë kandidati për kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu ka vazhduar ankesën në Gjykatën e Apelit, pasi ankesa e tij në Gjykatën Themelore u konsideruar e pasafatshme.
Por për këtë deklarim të të parës së shtetit, shoqëria civile po kërkon që të hiqet dorë nga pritja e vendimeve të gjyqësorit.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se pritja e vendimeve të gjyqësorit të rregullit është e palogjikshme.
“Fillimisht duhet ta kemi parasysh nëse vet gjykata e vlerëson të rëndësishme që të mos procedohet tutje, mund të vendosë masë të përkohshme në rastin konkret, kjo është e para, e dyta presidentja e Republikës së Kosovës nuk është e lidhur as me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e aq më pak të atyre të gjykatave të rregullta, po flasim vetëm për Gjykatë Kushtetuese. Rastin për Gjykatë Kushtetuese nga z. Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti ka shkuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore që nuk është në fakt ajo për të cilën duhet të kujdeset presidentja e Republikës së Kosovës me rastin e vendimmarrjes, përkitazi me këtë propozim, dhe nuk është që e influencon vendimin e presidentes, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, aq më pak të gjykatave të rregullta, ndërsa sa i përket pritjes së vendimit të gjykatave të rregullta është e palogjikshme që të pritet një vendimmarrje e kësaj natyre për shkak se e para nuk është juridikisht, nuk është e lidhur dhe nëse gjykata do ta shihte të nevojshme, do të mund të vendoste masë të përkohshme dhe e treta është se trajtimi i lartë nuk bëhet brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe do të duhet të pritnim me vite, derisa të shqyrtoheshin këto lëndë, nëse të njëjta do të shqyrtoheshin në merita, në mënyrë që kemi një vendim të formës së prerë. Në këto rrethana definitivisht duhet të hiqet dorë nga ideja që të priten të gjitha vendimet gjyqësore të gjykatave të rregullta”, tha Shala.
Shala thekson se nuk ka një afat kushtetues për të marrë një vendim në lidhje me kryeprokurorin nga ana e presidentes Osmani.
Megjithatë, konsideron se vendimi duhet të jetë brenda një afati të arsyeshëm.
“Nuk ka një afat kushtetues apo ligjor se kur presidentja e Republikës së Kosovës duhet ta vendos përkitazi me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për dallim prej rasteve të prokurorëve të tjerë, rasti konkretë nuk kemi një afat të përcaktuar. Në këtë mënyrë përkundër faktit që nuk kemi një afat striktë të shkruar brenda cilit duhet të vendos presidentja e Republikës së Kosovës, prapë se prapë nënkuptohet që ajo duhet të vendos brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe që në mungesë të këtij afati, nuk mundet që çështja të prolongohet në një afat jo të arsyeshëm kohor. Kjo është aspekti i parë. Në anën tjetër, do të thotë se nëse e marrim si pikë referencë rastin e prokurorëve ku afati për vendosjen nga ana e presidentes është 60 ditë dhe në rastin konkretë do të thotë vetëm se ka kaluar ky 60 ditë por jo në mënyrë, jo në një afat të arsyeshëm. Në rastin konkretë nuk mund të konsiderojmë në njëfarë forme që ende presidentja ka rënë në një afat jo të arsyeshëm kohor. Nuk e dimë se për çfarë procedurash bëhet fjalë, çfarë sqarimesh nevojiten.. dhe për këto arsyeje duhet të presim, mirëpo definitiv nuk mund të presim pafundësisht”, tha ai.
Kandidatët për kryeprokurorit të shtetit, Armend Hamiti dhe Shqipdon Fazliu, patën bërë ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese, por kjo e fundit vendosi t’i shpallë të papranueshme kërkesat e parashtruara nga të dy kandidatë të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.
Në garë për postin e kryeprokurorit të shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.Aktualisht detyrën e kryeprokurorit të shtetit po e ushtron prokurori, Besim Kelmendi.