Çdo situatë e cila mund të ndikojë në sigurinë e një rajoni, do të ndikojë edhe në strategjinë e një investitori, thotë Manfred Brandner, investitor austriak në Kosovë. Ndërkaq, nga organizatat që merren me ekonomi thonë se çdo cenim i sigurisë do të largojë investitorët nga Kosova.
Në fillim të muajit gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se ka pasur mundësi që tensionet më 31 korrik dhe 1 gusht në veri të vendit të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur.
Ai po ashtu është shprehur se vazhdon të mendojë se situata mund të përshkallëzohet. Deklarata si kjo, Kurti ka dhënë edhe në disa media tjera ndërkombëtare.
Brandner, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Bit Media” – anëtare e “EEE group” [e-edukimi, e-zgjidhje, e-qeverisje, me seli në Austri], erdhi në Kosovë 11 vjet më parë për të investuar me firmën e tij në fushën e teknologjisë, përkatësisht informatikës.
Ai thotë se lajmet e tilla për përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë, që qarkullojnë në media, janë shqetësuese për të si investitor ndërkombëtar në Kosovë.
“Çdo konflikt në mes vendeve është shqetësuese apo ndoshta edhe diçka që të shtyn në vendimin për shtyrjen e investimeve apo përfshirjes në ato. Por, për momentin ne ende jemi pozitiv për situatën dhe po vazhdojmë me investimet tona”, thotë Brandner.
Brandner në një intervistë të dhënë muaj më parë për Radion Evropa e Lirë kishte deklaruar se ka plane që të zgjerojë biznesin e tij në Kosovë. Por, tani ai thotë se nëse situata bëhet më e ndërlikuar, atëherë “patjetër duhet t’i vlerësojmë apo t’i mendojmë strategjitë ekzistuese për Kosovën”.
Ndërkohë, deklaratat për një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, sipas drejtorit ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, nuk mund të kalojnë pa lënë gjurmë tek investitorët potencialë ndërkombëtarë.
“Kemi të bëjmë me një problem politik që ka të bëjë me shtetin fqinj. Derisa kemi këtë, ai [problem] gjithmonë gjeneron situata të tilla që mund të ketë pasoja që ndikojnë investitorët, edhe ata prezentë edhe ata potencialë”, thotë Ujkani për Radion Evropa e Lirë.
Nga takimet që Ujkani ka pasur gjatë këtyre ditëve me investitorët ndërkombëtarë që janë në Kosovë, ai thotë se nuk ka pasur ndonjë shqetësim, por nëse një ritëm i tillë do të vazhdojë, sipas tij, “mund të ketë një situatë tjetër”.
Themelues të Këshillit të Investitorëve Evropianë janë investitorët nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet e EFTA-s.
Shtetet anëtare të EFTA-s janë Islanda, Zvicra, Norvegjia dhe Lihtenshtajni.
Çfarë kërkon një investitor nga Kosova?
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, thotë se siguria fizike, krahas sigurisë juridike, është njëri prej elementeve më të rëndësishme që ndikon në vendimmarrjen e investitorit për të shtrirë operacionet në një shtet apo treg të ri.
“Deklaratat e tilla për cenim të sigurisë natyrisht ndikojnë tek investitorët potencialë dhe si të tilla, ata [investitorët], mund t’i shmangen investimeve në Kosovë”, thotë Zeka.
Ai shton se është kohë e shkurtër të dihet nëse një investitor potencial mund të ketë hequr dorë nga investimi për shkak të deklaratave të tilla. Por, paqëndrueshmëria politike, sipas tij, në të kaluarën mund të ketë qenë tregues se ka ndikuar në tërheqjen e investimeve të huaja.
Në vitin 2007, një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, investimet e huaja ishin 440.7 milionë euro, por të cilat ndër vite kishin rënë.
Krizat politike dhe rënia e investimeve të huaja
Rënia më e madhe e investimeve të huaja ishte shënuar në vitin 2014, kur Kosova ishte përballë me një krizë politike.
Kjo krizë politike, sipas Odës Ekonomike Amerikane, mund të kenë ndikuar në ardhjen e investitorëve ndërkombëtarë.
Qysh në fillim të vitit 2014, institucionet e Kosovës ishin përballur me vështirësi të funksionimit.
Qeveria e koalicionit të atëhershëm të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Re, kishte humbur përkrahjen e shumicës në Kuvend. Kjo bëri që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme.
Nga zgjedhjet e mbajtura më 8 qershor të vitit 2014 fituese doli PDK-ja.
Por, liderët e partive opozitare të asaj kohe, Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga partia Nisma (më vonë Nisma Socialdemokrate), vendosën që të formonin një koalicion me pretendimin që ta lënë në opozitë, partinë fituese të zgjedhjeve, PDK-në.
Ndërkaq, atëbotë PDK-ja insistonte se vetëm ajo kishte të drejtë të propozonte kryetarin e Kuvendit si parti fituese, kurse blloku LDK, AAK dhe Nisma pretendonte se kishte krijuar grupin më të madh parlamentar, andaj edhe synonte ta nominonte për kryetar Kuvendi, Isa Mustafën.
Zgjidhja e gjithë kësaj situatë kishte marrë gjashtë muaj.
I