Katër avokatët e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që janë të arrestuar nga Gjykata Speciale, kanë shfaqur dilema serioze në bashkëpunimin që e ka Prokuroria e Hagës me Beogradin zyrtar. Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, është bërë bashkë dhe po kërkon që Prokuroria e Specializuar të tregojë cilat materiale i ka marrë nga Serbia. Madje, pretendojnë që Prokuroria në Hagë po bashkëpunon me Beogradin zyrtar, nën parimin se Kosova është pjesë e Serbisë.
Në një përgjigje ndaj Prokurorisë që e kanë dërguar te gjyqtari, avokatët e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së kanë vlerësuar se kjo e cenon rëndë procesin. Ata kanë bërë të ditur se janë mbi 1 mijë e 300 materiale të cilave nuk iu dihet vendi i origjinës.
“Përveç kësaj, Prokuroria keqinterpreton në mënyrë të rëndë parashtresat e Mbrojtjes, të cilat qartazi nuk kanë të bëjnë me ndonjë shkelje të ligjit serb. Në vend të kësaj, Mbrojtja thekson shkeljen e ligjit të Kosovës dhe rrezikun që bashkëpunimi Prokurori-Serbi të bëhet me supozimin e papranueshëm dhe të paligjshëm se Kosova është pjesë e Serbisë”, thuhet në parashtrim.
“Thelbi i pozicionit të Prokuroria e Specializuar është se besueshmëria e informacionit që buron nga Serbia nuk është e ndryshme nga ajo e çdo ofruesi tjetër të informacionit. Kjo tentativë për të shpërfillur kontekstin politik në të cilin po gjykohet kjo çështje rrezikon shumë integritetin e procedurës. Ndjenjat anti-kosovare dhe anti-UÇK mbeten një faktor i rëndësishëm dhe me ndikim në politikën kryesore serbe deri në ditët e sotme”, thuhet më tutje në këtë parashtrim.
Sipas avokatëve, në asnjë mënyrë, materiali që është siguruar nga Serbia, nuk duhet të vlerësohet njëjtë sikur materialet e tjera në këtë procedurë. Sipas këtij parashtrimi, Prokuroria e Hagës ka siguruar mbi 13 mijë materiale nga Tribunali për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, 10 mijë e 500 nga EULEX-i dhe 8 mijë materiale nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit kanë përmendur raste nga e kaluara në Tribunalin e Hagës, ku është tentuar manipulimi me dëshmitarë.
“Parë në këtë këndvështrim, pozicioni i Prokurorisë së Specializuar është qartësisht në kundërshtim me përkufizimin e Rregullës 103 dhe do të kishte pasoja të rëndësishme për procedurat ardhshme. Jo të gjithë ofruesit e informacionit ose informacionit janë të barabartë, dhe materiali që vjen nga Serbia për të mbështetur një gjyq kundër udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të klasifikohet si Rregullë 103”, bëhet e ditur më tutje.
“Përveç kësaj, si me çdo traktat modern, marrëveshje të tilla ndërkombëtare duhet të bëhen publike. Bazuar në konsideratat e mësipërme, rezulton se çdo marrëveshje në lidhje me bashkëpunimin në çështjet penale me shtetet ose organizatat ndërkombëtare (dhe veçanërisht me Serbinë) i nënshtrohet ratifikimit nga Kuvendi dhe duhet të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të KSK-së”, specifikohet më tej.
Në fund, mbrojtja ka kërkuar që kjo kërkesë e tyre të merret parasysh nga gjyqtari i procedurës paraprake.