Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë vendim për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent, i cili ka për qëllim hartimin e rekomandimeve për minimizimin e pasojave nga kriza energjetike.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media ku është shtuar se në mbledhjen e parë të këtij komitetit është rekomanduar që KEK t’i ofrojë Operatorit të Sistemit të Distribucionit energjinë e siguruar, shkruan lajmi.net.
Njoftimi i plotë:
Vendimet nga mbledhja e parë e Komitetit Teknik Emergjent
Nr.88/22 Prishtinë, 17.08.2022 – Duke u bazuar në situatën energjetike në Kosovë,
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë vendim për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent (KTE) që përbëhet nga përfaqësues të të gjithë institucioneve relevante të energjisë. Komiteti ka për qëllim hartimin e rekomandimeve për minimizimin e pasojave nga kriza energjetike.
Komiteti Teknik Emergjent ka këtë përbërje: përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Universal (KESCO).
Në mbledhjen e parë të Komiteti Teknik Emergjent rekomandoi që me qëllim të mbulimit të konsumit për këtë situatë të krijuar, KEK t’i ofrojë Operatorit të Sistemit të Distribucionit(KEDS) energjinë e siguruar, sipas kushteve të parapara në MFSH.
Komiteti teknik ka si qëllim që të identifikojë ndikimin e mundshëm në situatën emergjente të furnizimit me energji, operimit dhe likuiditetit në tregun e energjisë, menaxhimin e situatës, si dhe rekomandimin e mënyrave të minimizimit të efekteve negative si në furnizim ashtu edhe në treg gjatë situatës emergjente.