Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës vazhdon këtë javë në Bruksel. Por autoritetet në Prishtinë dhe Beograd nuk presin shumë nga ky takim. Heqja dorë nga kërcënimet, është një prej rezultateve të mundshme.
Takimi i ardhshëm në Bruksel i liderëve të Kosovës dhe Serbisë pritet me skepticizëm si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Pas rreth një viti heshtjeje dhe pas kërcënimeve të fundit mes palëve, ku janë përmendur edhe fjalët luftë, dhunë dhe konflikte, më e shumta që mund të arrihet në këto kushte është që palët të zotohen se do të heqin dorë nga retorika nxitëse. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti për zbatimin e marrëveshjeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar këto ditë për media të huaja se Serbia po kërcënon me rrënimin e stabilitetit dhe paqes në rajon. Ndërsa presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka përmendur disa herë edhe rrezikun e instrumentalizimit të Serbisë dhe serbëve në Kosovë nga forca të jashtme, në radhë të parë nga Rusia, për qëllime të saj.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përdorur edhe fjalë dramatike në deklaratat për opinion, duke thënë se “po përgatisin likuidime të njerëzve tanë në veri të Kosovës“. Ai “luti” shqiptarët dhe në radhë të parë bashkësinë ndërkombëtare që të mos e lejojnë këtë, duke shtuar se “Serbia do të fitojë”.
Pritjet nga dialogu
“Po shkoj në Bruksel për të biseduar. Nuk besoj se do të ketë ndonjë rezultat, por po shkoj të flasim”, ka thënë Vuçiq. Sipas tij, shpresa e vetme për të arritur diçka më shumë është nëse vendet e Kuintit ushtrojnë presion politik ndaj palës shqiptare.
Krerët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen ndaras në Bruskel edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili do t’i njohë ata me planet e aleancës në rast përshkallëzimi të gjendjes. Ndërsa Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme (EEAS) u ka bërë thirrje në fundjavë të dyja palëve që të ndalojnë retorikën nxitëse dhe të jenë të përgjegjshme, që të mos ketë përshkallëzim të dhunës në rajon. Kjo ftesë ka shkaktuar reagime të ashpra në Beograd.
Petar Petkoviq, përfaqësuesi serb në dialog, thotë se “apeli i pafytyrë për të dyja palët po i hedh benzinë zjarrit dhe po inkurajon regjimin e Kurtit që të destabilizojë situatën në Kosovë dhe në rajon”.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e sheh këtë ftesë të palës evropiane “si një shaka të pakëndshme”. “Plot 175 ditë, Albin Kurti provokoi një konflikt të armatosur me serbët, në një vit që do të mbahet mend si viti në të cilin Kurti u privoi serbëve të drejtat më elementare njerëzore – duke i ndaluar të votojnë. Përveç një deklarate të kotë me shkrim, BE-ja nuk ka bërë absolutisht asgjë në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e kryeministres në Twitter. Ndërsa ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin thotë se „Beogradi vetëm po u përgjigjet marrëzive të Prishtinës dhe se nuk do të nisë aspak konflikte“.
Rrethi vicioz
“Mendoj se dialogu ka hyrë në fazën e matjes së forcave mes palëve, kur secila palë ka më shumë kujdes që të mos përfitojë pala tjetër, sesa të nxjerrë vet ndonjë përfitim prej tij”, thotë profesori Ivo Viskoviq. Sipas tij, kjo është një “qasje e gabuar, ku nuk do të ketë asnjë rezultati pozitiv. Gjërat janë futur në një rreth vicioz në veçanti kur bëhet fjalë për çështjet ekzistenciale“, pohon ai.
Përderisa sipas disa burimeve, kryeministri Kurti po përgatitet që në Bruksel të bisedohet për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si shtete, Vuçiq sërish do të insistojë që të bisedohet për Bashkësinë e komunave me shumicë serebe, thotë gazetari Milivoje Mihaljoviq.
“Bazuar në këtë, ne nuk mund të presim shumë nga ky raund dialogu”, thotë ai dhe shton: “Ajo që pres nga ky raund është largimi i kërcënimeve për konflikte atje”.