Kurti tha se nga 1 shtatori ose do të ketë lëshim të dokumenteve nga dy shtetet ose do të hiqen të njejtat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha sot se 1 shtatori do të jetë një ditë normale. Kurti shtoi se pas 1 shtatorit, ose do të ketë lëshim të dokumenteve siç bën Serbia me shtetasit e Kosovës, ose të dyja vendet do t’i heqin këto dokumente të përkohshme.

“I kam thënë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq pranoji dokumentet, më tha jo se kështu e pranoj pavarësinë e Kosovës. Edhe pse kjo nuk është e vërtetë, pasi edhe Rumania, Sllovakia, Qipro nuk e njohin pavarësinë, por dokumentet e Kosovës, po”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë që, për targat Kurti tha se Prishtina do ta vazhdojë fushatën për ndërrimin e targave.

”Prishtina do të vazhdojë fushatën për ndërrimin e targave, Beogradi është i shqetësuar sepse mendon se njerëzit do ta pranojnë”, ka thënë kryeministri Kurti mes tjerash në një intervistë.

Kujtojmë që Qeveria e Kosovës e pati shtyer për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë që përfshin dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të automjeteve të Serbisë, me kusht që të hiqen barrikadat nga rrugët në veriun e Kosovës. Këtë vendim, qeveria e Kosovës e kishte marr pak para mesnatës së 31 korrikut, pas kërkesës së SHBA-së.