Vrasja për borxh në kafeteri në Suharekë, autori dënohet me 24 vjet e 10 muaj burgim

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues me 24 vjet e 10 muaj burgim ndaj të akuzuarit S.A.

Gjykata konstaton se S.A., kreu veprat penale ” vrasja e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“.

Por si kishte ndodhur vrasja?

“I akuzuari S.A., ka privuar nga jeta personin tjetër, dhe me atë rast me dashje ka vë në rrezik jetën e një apo më shumë personave tjerë, ashtu që me datë 26 janar 2020, rreth orës 21:45, në një lokal – kafiteri, në fshatin Maqitevë – Komuna e Suharekës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh, që i’a kishte tani i ndjeri Sh.K., vëllait të të akuzuarit, fillimisht i akuzuari S.A., i thotë “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi pronari i lokalit e largon të ndjerin jashtë, dhe deri sa i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, i akuzuari me shpejtësi ngritët nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë, shkon në kamionetën e tij, e merr pushkën gjysmë  automatike të tipit “Ak-47”, nga një distancë e afërt shkrep në drejtim të të ndjerit Sh.K., i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sopatës në dorë, fillimisht i akuzuari e godet të njërin në fytyrë,  pasi i ndjeri rrëzohet në tokë, i akuzuari vazhdon deri sa i ndjeri ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë, me ç ‘rast i shkakton 8 (tetë) plagë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilat aty për aty kanë qenë vdekjeprurëse“, njofton gjykata.