Agjenti që zbuloi komplotin kundër Dick Martyt ishte nga Kosova, thotë se Zvicra i shkatërroi karrierën

06

Programi “Mise au Point” në mediumin zviceran RTS, ka raportuar se personi që ka dhënë informacionin se shërbimet inteligjente serbe kanë plane për të vrarë ish-senatorin zviceran, Dick Marty, është me prejardhje nga Kosova.

Sipas raportimit, në fund të vitit 2020, ky person kishte njoftuar Zyrën Federale të Policisë – FedPol për planet e individëve të caktuar radikalë të shërbimeve inteligjente serbe, që kishin për qëllim vrasjen e Dick Martyt.

”Burri është rreth të pesëdhjetave, ka lindur në Kosovë. Ai punoi për shërbimet e inteligjencës jugosllave në vitet 1990 para se të bëhej një agjent i dyfishtë, një “mi” në zhargonin e kriminelëve”, thuhet ndër të tjerash nga mediumi, transmeton lajmi.net.

Është e qartë se ai depërton në qarqet e krimit të organizuar dhe ia shet informacionin e tij policisë dhe shërbimeve të inteligjencës. Për tridhjetë vjet, ai ka punuar me disa shërbime evropiane, veçanërisht ato belge, gjermane dhe zvicerane. Ai konsiderohet një burim shumë i besueshëm.

Ky njeri kishte mësuar për ekzistencën e një komploti kundër ish-senatorit Marty derisa ishte duke hetuar për gjermanët mes Serbisë dhe Kosovës. Ai kishte kontaktuar menjëherë FedPol.

Ai kishte informuar organet se atentati i është besuar serbëve “të cilët kanë kryer misione të tilla për një kohë të gjatë për shërbime sekrete serbe dhe janë formuar prej tyre”.

“Ata do të ishin ‘profesionistë absoulut’ që do ta zotëronin atentatin ‘pa lënë gjurmë’. Njëri prej tyre tashmë ka sjell armë në Zvicër. Nacionalistë dhe kundërshtues të pavarësisë së Kosovës, këta njerëz shpresojnë se vrasja e Dick Martyt do t’i ngarkohet qeverisë kosovare, e cila në këtë mënyrë do të diskreditohej në nivel ndërkombëtar”, kishte thënë agjenti duke i dhënë kështu Zvicrës edhe emrat e atyre që qëndrojnë pas vrasjes.

“Gabim serioz”

“Unë u dhashë atyre shumë informacione të mira, por autoritetet zvicerane më skuqën. Ata bënë një gabim të madh, nuk e kuptoj se si mund ta bënin një gjë të tillë”, shpjegon informatori në fjalë për “Focus”.

Sipas dëshmisë të informatorit, të cilën hetimi i RTS-së ka pasur mundësi ta vërtetojë, menjëherë pas marrjes së informacionit të tij, autoritetet zvicerane kanë dërguar një kërkesë për informacion homologëve të vendosur në Beograd të Serbisë.

FedPol i ka bashkangjitur kërkesës së dërguar në Beograd edhe emrat e sponsorëve të atentatit. Duke përfituar nga kjo rrjedhje, këta të fundit vihen në dijeni menjëherë për kërkesën zvicerane dhe duke kontrolluar, e kuptojnë menjëherë se kush i ka tradhtuar.

“Unë isha në Prishtinë në atë kohë, gati të udhëtoja për në Serbi për të vazhduar hetimet. Më thirrën nga Zvicra për të më thënë të kisha kujdes dhe të ndërprisja çdo kontakt me grupin serb. Unë isha i tërbuar! Zvicra ka prishur gjithçka”, ka deklaruar informatori.

Agjenti i dyfishtë megjithatë kishte udhëtuar për në Serbi, duke u munduar të bindë kriminelët në fjalë se informacioni nuk vjen prej tij. Përpjekje e humbur. Ai ishte i kërcënuar. Ai e kupton që jeta e tij është në rrezik.

“Nën mbrojtje në Zvicër”

Duke marrë përsipër përgjegjësitë e tyre, autoritetet zvicerane më pas i ofruan informatorit të vinte dhe të strehohej në Zvicër me gruan dhe fëmijët e tij. FedPol dhe MPC i sigurojnë atij anonimitetin e plotë. Në fillim të vitit 2021, burri u zhvendos me familjen e tij në Zvicrën gjermanishtfolëse. Ai përfitoi nga programi për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe i jepet identitet i ri. Ai u intervistua nga MPC si pjesë e hetimit për Dick Marty.

“Isha strehuar dhe më jepnin 1000 franga në javë”, thotë ai. “Nuk është shumë duke marrë parasysh faktin që humba gjithçka. Duke ‘më pjekur në skarë’, ata shkatërruan tridhjetë vjet karrierë”, ka deklaruar informatori.

Gjatë javëve në vazhdim, marrëdhëniet janë të tensionuara me FedPol dhe MPC. Informatori i mbrojtur nuk respekton me përpikmëri rregullat e sigurisë të programit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Madje, ai shkon në një shtet fqinj pa paralajmëruar zviceranët.

“Është e vërtetë që nuk i kam ndjekur të gjitha udhëzimet”, pranon ai. “Por unë kam një vajzë jashtë vendit. Zvicra më premtoi se mund ta shoh”, ka deklaruar ai.

Në fillim të vitit 2022, autoritetet zvicerane njoftojnë agjentin e dyfishtë se ai nuk do të ketë më të drejtë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve nga vera.

“Në pranverë u largova nga Zvicra, s’kisha zgjidhje, pasi më vunë në skarë, zviceranët më hodhën si qen”, ka deklaruar informatori.

Të kontaktuar nga RTS, Fedpol dhe MPC nuk kanë dashur të komentojnë këtë rast, transmeton tutje lajmi.net.

Sot agjenti i dyfishtë fshihet në një shtet fqinj me Zvicrën.