Më 9 mars 2018, rreth orës 01:00, në fshatin Plloqicë të Malishevës, vëllezërit e ndjerë Shani dhe Bahri Maloku janë privuar nga jeta. Kjo vrasje e dyfishtë rrezikon të hyjë në listën e vrasjeve në Kosovë autorët e të cilëve nuk janë ndëshkuar.
Për këtë vrasje të dyfishtë, Prokuroria Themelore në Gjakovë, në nëntor të 2018-ës kishte ngritur aktakuzë ndaj dy kushërirëve të vëllezërve të ndjerë, përkatësisht ndaj Blerim dhe Besim Maloku, këtë të fundit duke e ngarkuar me vrasjen e dyfishtë.
Prokuroria pretendonte se Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, natën kritike kishin hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku kishte pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.
Mirëpo, Gjykata Themelore në Gjakovë, pas një procesi gjyqësor e kishte liruar nga vrasja e rëndë Besim Malokun. Ai dhe vëllai i tij ishin dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje. Këtë aktgjykim të shkallës së parë e kanë vërtetuar edhe Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës.
“Betimi për Drejësi”, ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, për të mësuar se a ka të dyshuar të tjerë në lidhje me këtë vrasje të dyfishtë, dhe se a janë ndërmarrë veprime të tjera hetimore për zbardhjen e këtij rasti.
Prokuroria nuk ka kthyer fare përgjigje, kurse nga Policia kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë autorizim shtesë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera, duke shtuar se kompetente për të dhënë informata janë Prokuroria dhe Gjykata në Gjakovë.
Ndryshe, më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të aktgjykimit 112 faqësh të Gjykatës Themelore në Gjakovë, me arsyetimin e gjykatës për lirimin nga akuza për vrasjen e dyfishtë të ish të akuzuarit Besim Maloku. Ky aktgjykim është vërtetuar edhe nga dy shkallët më të larta.
Në aktgjykim thuhet se për shkak të mungesës së provave, gjykata e ka liruar nga akuza për vrasje të akuzuarin Besim Maloku.
Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se asnjë nga dëshmitarët e dëgjuar në këtë rast nuk kishin mundur ta identifikonin kryerësin e vrasjes së dyfishtë në Malishevë.
“Prokuroria u përpoq që përmes dëshmive të dëshmitarëve, siç ishin, dëshmia e Afërdita Malokut, Fatmire Malokut, Uliks Malokut, Shaban Malokut, Valbone Malokut, Shemsie Bytyqit, Bekim Zogajt, Albani Malokut, Hysni Malokut, Xhemajli Malokut, Afrim Mustaf Maloku, Afrim Arif Malokut, Fisnik Malokut, Ismet Malokut, Hysen Malokut, e sipas propozimeve të mbrojtësve gjykata dëgjoi ekspertin mjeko-ligjor, Arsim Gërxhaliu, ekspertin e balistikës, Ilir Kukaj dhe dëshmitarin Edmond Jakupaj që ta vërtetojnë praninë e të akuzuarit në natën kritike si kryers i veprës penale, mirëpo asnjëri nga dëshmitarët në dëshmitë e tyre të dhëna veç e veç nuk vërtetojnë se në natën kritike me rastin e vrasjes së tani të ndjerëve Shani dhe Bahri Malokut, të ketë qenë i akuzuari Besim Maloku, si dhe në të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve ceket se nuk kanë mundur ta identifikojnë kryerësin e veprës penale në natën kritike”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.
Sipas arsyetimit të aktgjykimit, dëshmitari Uliks Maloku, vëllai i viktimave, në asnjë moment gjatë deklaratës së tij nuk ka shfaqur dyshime se në natën kritike të ketë qenë edhe i akuzuari për vrasje, Besim Maloku.
“Uliks Maloku gjatë gjithë ngjarjes në natën kritike me rastin e vrasjes së vëllezërve të tij Shani dhe Bahri Malokut, i është dukur se personi i dyshuar më i shkurtër që ka gjuajtur me armë automatike ka qenë kushëriri i tij Blerim Maloku, kurse në të akuzuarin Besim Maloku në asnjë moment gjatë deklaratës së tij nuk ka shfaqur dyshime se natën kritike të ketë qenë edhe i akuzuari Besim Maloku, dhe ta ketë kryer veprën penale të vrasjes. As gjatë hetimeve të zhvilluara nga organet hetuese, e as nga prokuroria nuk është dyshuar se i akuzuari Besim Maloku ta ketë kryer veprën penale të vrasjes. Në Blerim Malokun kanë dyshuar se ka kryer veprën penale të plagosjes, vetëm në bazë të supozimeve, i cili në polici, hetuesi dhe prokurori dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor gjithherë ka deklaruar “mu ka duk, kam dyshuar se është kushëriri jem Blerim Maloku”, nga dëshmia e dëshmitarit në asnjë moment nuk ka mundur ta argumentojë se kush e ka kryer vrasjen në natën kritike.”, thuhet në aktgjykim.
Në arsyetimin e aktgjykimit përmendet se si dëshmitari i parë okular në natën kritike, Alban Maloku, nuk e ka shprehur as më të voglin dyshim se mund të ishin kushërinjtë e tij Besim dhe Blerim Maloku.
“Nga dëshmia e dëshmitarit Alban Maloku i cili ka qenë më së afërmi me personat e dyshuar të maskuar, ka deklaruar se personat e dyshimtë të cilët kishin hy natën kritike në oborrin e axhës së tij Taf Maloku, se nuk i ka njohur personat e dyshimtë dhe nuk ka shprehur as më të voglin dyshim se mund të ishin kushërinjtë e tij Blerim dhe Besim Maloku”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.
Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se në bazë të ekspertizës dhe dëshmisë së ekspertit për eksplozivë, grimca të barutit dhe zjarrëvënie, në rrobat e të akuzuarve, e po ashtu edhe në gjymtyrët dhe në tërësi në trupin e të akuzuarve është konstatuar se nuk janë gjetur mbetje të qitjes me armë zjarri me prejardhje nga baruti.
Tutje, në aktgjykim thuhet se as nga ekzaminimi i ADN-së nuk është vërtetuar inkriminimi i të dyshuarit Besim Maloku lidhur me këtë çështje të vrasjes së Shani dhe Bahri Malokut.
Në arsyetim të aktgjykimit përmenden edhe CD-të e përgjimeve që ishin bërë derisa të akuzuarit ishin në mbajtje.
Gjykata ka konstatuar se derisa te akuzuarit kanë qenë të ndaluar gjatë bisedës në mes tyre kanë përmendur fjalën bunar, dhe se nga kjo është vërtetuar se fjala ka qenë për armët e sekuestruara me rastin e bastisjes në shtëpinë e të akuzuarit Blerim Maloku.
Aty thuhet se në pjesën tjetër të incizimit të CD-ve dhe nga transkripti nuk është vërtetuar asnjë bisedë në mes të të akuzuarve që do të vërtetohej inkriminimi i tyre në kryerjen e veprës penale të vrasjes së kushërinjve të tyre Shani dhe Bahri Maloku.
Në aktgjykim thuhet se nga CD-ja e përgjimeve, nuk është vërtetuar inkriminimi i personave të dyshuar lidhur me këtë rast, ku shtohet se sikur të ishte vërtetuar dyshimi se të akuzuarit kanë zhvilluar ndonjë bisedë të dyshimtë që ka të bëjë me rastin me siguri se edhe hetuesit do ta njoftonin prokurorin e çështjes.
Në arsyetim të aktgjykimit thuhet se në procedurën hetuese nuk është siguruar arma nga e cila janë privuar nga jeta viktimat dhe nga e cila janë shkrepur predhat e gjetura, dhe shtohet se është gjetur vetëm përputhshmëri e gëzhojës së evidentuar me numër 16 me pushkë automatike 20-she, të dorëzuar në mënyrë vullnetare nga i akuzuari Besim Maloku.
“Nga ekspertiza balistike konstatohet se gëzhoja e evidentuar me numër 16 është dukshëm më e ndryshkur se sa nëntë gëzhojat e tjera në të njëjtin vend të cilat janë marrë nga krimteknika ditën kritike, që do të thotë se kjo gëzhojë është shkrepur më herët se sa nëntë gëzhojat e tjera pasi që këtë e vërteton edhe njësia e krimteknikës e cila ka shkruar se kjo gëzhojë është gjetur në skaj të asfaltit ka qenë e shtypur në baltë dhe duket të jetë e vjetër, dhe kështu gjykata duke u nisur nga parimi “in dubio pro reo”, sipas të cilit mëdyshjet e lidhura me faktin se a është përdorur apo jo pushka automatike “typ-68”, dhe se a është shkrepur gëzhoja e evidentuar me numër 16, gjykata e ka interpretuar në favor të të akuzuarit dhe nuk e ka marrë për bazë dëshminë se është përdorur pushka automatike, si dhe këtë pushkë dëshmitari Uliks Maloku e kishte huazuar nga i akuzuari Besim Maloku me rastin e martesës së vëllait të tij Bahrisë, kjo është vërtetuar nga mbrojtja e të akuzuarit e të cilin pohim nuk e ka kundërshtuar askush nga të pranishmit dhe as më vonë nuk e kanë mohuar faktin se Uliksi e kishte huazuar këtë armë me rastin e martesës së vëllait të tij, dhe se ky fakt të sjellë dyshime se me rastin e gjuajtjes në aheng nga ana e Uliksit ka mundur që kjo gëzhojë e evidentuar me numër 16 të jetë ngulitur në baltë që atëherë”, thuhet në aktgjykim.
Sipas vlerësimit të gjykatës dëshmitë e dëshmitarëve dhe dëshmitë tjera janë në kolizion dhe përmes tyre nuk mund të ndërtohet një mozaik që do të paraqiste qartë dhe sigurt figurën e të akuzuarit si pjesëmarrës në kryerjen e kësaj vepre penale.
Në fund të arsyetimit të aktgjykimit 112 faqesh thuhet se si rezultat i vlerësimit të provave të administruara, gjykata ka ardhur në përfundim se edhe përkundër dyshimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë për përfshirjen e të akuzuarit Besim Maloku në kryerjen e veprës penale të vrasjes, me asnjërën nga provat e administruara nuk është arritur të vërtetohet një gjë e tillë.
Siç thuhet tutje, bazuar në faktin se askush nga dëshmitarët nuk e ka vërtetuar e as vetë të dëmtuarit, si dhe mbështetur edhe në deklarimet e mëparshme të vëllait të viktimave, përkatësisht dëshmitarit Uliks Maloku, i cili fillimisht nuk ka përmendur këtë fakt, por ka përmendur si kryrës të akuzuarin Blerim Maloku, i cili akuzohet vetëm për armëmbajtje pa leje, dhe se me asnjë nga provat e administruara nuk është vërtetuar se i akuzuari Besim Maloku, jo vetëm që nuk e ka kryer veprën penale të vrasjes, por as që ka qenë në vendin e ngjarjes në natën kritike, prandaj, gjykata në mungesë të provave e liroi të akuzuarin nga akuza për vrasje.
Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.
Ai akuzohet se gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku ka pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.
Sipas aktakuzës, tani të ndjerët Shani dhe Bahri Maloku, kanë qenë duke luajtur me letra së bashku edhe me Hysni, Afrim dhe Uliks Maloku.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Alban Maloku është nisur në shtëpinë e viktimave dhe kur ka hyrë në oborr të shtëpisë ka vërejtur të akuzuarit dhe i njëjti ka bërtitur dhe në atë moment kanë dal të gjithë personat që ishin duke luajtur me letra dhe kanë vrapuar për të zënë të akuzuarit dhe në rrugën e lagjes, duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku dhe të njëjtit i ka privuar nga jeta dhe pastaj së bashku me të akuzuarin Blerim Maloku, kanë ikur nga vendi ngjarjes.
Me këtë veprim, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se ka kryer veprat penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, 1.6 dhe 1.11 të KPRK-së dhe “mbajtje në posedim të paautorizuar të armës”, nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.
Ndërsa, Blerim Maloku, akuzohet për veprën penale të mbajtjes në posedim të paautorizuar të armës, nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.