Derisa në komunat tjera për çdo vit bije numri i nxënësve nëpër shkollë, kështu nuk po ndodhë edhe në komunën e Fushë Kosovës, pasi në këtë komunë për çdo vit ka rritje të numrit të nxënësve
Komuna e Fushë Kosovës ka nis përgatitjet për fillimin e vitit e ri shkollor, derisa javë më parë është hapur edhe konkursi për pranimin e 19 arsimtarëve klasor.
Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Samir Shahini thotë se për shkak të rritjes së numrit të nxënësve, është planifikuar ndërtimi i një shkollë të re.
Ai për KosovaPress, thotë se hapja e konkursit për 19 mësimdhënës është përgatitje e fillimi të vitit të ri shkollor për 19 paralele.
“Ky konkurs është përgatitje për vitin e ri shkollor për rritjen, përballjen me rritjen e numrit të nxënësve. Ne këtë procedurë e realizojmë tash e sa vite realisht prej fillimit të bumit të rritjes së popullsisë në komunën tonë, thuajse çdo vit kemi shpallur pozita, sidomos për mësimdhënës klasor. Këtë vit sipas përgatitjeve tona janë 19 paralele të reja të mësimit klasor 1 deri në 5, që hapen kryesisht në qytet, pra në të gjitha shkollat e qytetit në total janë 19 paralele të reja dhe proporcinalisht janë shpallur edhe 19 pozitat për mësimdhënës klasor. Në vazhdimësi do të shpallen edhe pozitat e tjera për mësimdhënës lëndor por edhe për staf tjetër për pjesën e stafit profesional dhe administrativ, do të kemi pozita sigurisht që do të hapen për psikologë, sekretarë, një zëvendësdrejtor”, tha ai.
Shahini shtoi se me rritjen e numrit të nxënësve duhet të shtohen edhe punët administrative, si dhe të atyre të mirëmbajtjes nëpër shkolla.
“Ky konkurs e lehtëson sepse përfundimisht e ndalon rritjen e numrit të nxënësve mbi dyzet në klasë të ndara dhe ky është synimi të ndalohet numri i rritjeve të nxënësve dhe pastaj edhe në ciklin nga 1 deri në 6 dhe 9, pra në mësimin e mesëm të ulët sigurisht, pak hapja e normave të reja për vendet e reja të punës për mësimdhënësit lëndor nënkupton përcjelljen me hapjen e paraleleve të reja, mirë po në numrin më të vogël sepse të fluksit më të madh të nxënësve e kemi në këto grup mosha, pra në klasat 1 deri në 5. Kjo është e para, e dyta kjo rritje duhet të përcillet edhe në pjesë tjetër të stafit nënkuptohet përtej mësimdhënësve duhet të shtohen punët administrative, shtohen punët e mirëmbajtjes të shkollave dhe proporcionalisht janë shpallur veç se 9 vende për punëtorë të mirëmbajtjes, mirëpo do të ketë edhe të tjera pozita administrative dhe profesionale në vazhdimësi”, thotë ai.
Sipas tij, përgatitjet për fillimin e vit të ri shkollor dhe hapja e konkursit paraqesin pozitat të rregullta të konkursit publik me kontrata provuese për një vit, e më pas siç e parasheh ligji, punëtorët e pranuar kalojnë në kontrata të rregullta.
Në komunën e Fushë Kosovës fluksi më i madh i personave që shpërngulen janë nga komuna e Prishtinës, ajo e Drenasit dhe nga Shqipëria.